Pak orë pas bllokimit të rrugës drejt Merdares nga ana serbe, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se pika e kalimit kufitar në Merdare tashmë është mbyllur për hyrje dalje.
Në një njoftim të shkurtër të kësaj qendreje, thuhet se arsyeja për mbylljen e pikës kufitare, është vendosja e barrikadave rreth 2 kilometra larg kufirit.
Nuk është dhënë ndonjë afat për hapjen e saj.
“PKK Merdare është e mbyllur për hyrje-dalje. Në R. Serbisë janë vendosur barrikada rreth 2 kilometra nga kufiri. Deri në një njoftim tjetër PKK Merdare është e mbyllur thuhet në njoftim.
Rruga është bllokuar në drejtimin e Kurshumlisë, që çon drejt pikës kufitare të Merdares. Aty janë vendosur kamionë dhe traktorë, raporton Gazeta Express.
Siç kanë thënë bllokuesit, këtë e kanë bërë një shenjë solidarizimi me serbët e Kosovës. Trafiku i automjeteve është bllokuar në dy anët.
Kjo pikë kufitare mbyllet në kohën kur rritet numri i bashkatdhetarëve që vijnë në Kosovë për të kaluar festat, është i madh.
Kujtojmë që përveç Merdares, pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë të mbyllura qe 18 ditë për shkak të vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë.