Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Perparim Gruda, i ftuar në FRONTAL të T7 ka folur edhe për rastin e përfshirjes nga zjarri të një pjese të Institutit Mjeko Ligjor (IML).
Gruda ka thënë se është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë dhe ministres Albulena Haxhiu ajo çfarë ka ndodhur në IML, meqë aty është dashur të ketë sistem kundër zjarrit por s’ka pasur.
“Pyetja është sot, institute menaxhohet nga Ministria, është përgjegjësi e ministres. Është dashur të ketë sistem kundër zjarrit, por s’ka pasur. Këtë e menaxhon ministrja”, ka thënë Gruda.
Ai tutje ka thënë se në IML gjenden edhe mostrat e rastit të Astrit Deharit, rast që sipas Grudës “është keqpërdorur më së shumti”
Ai tutje ka thënë se Qeveria Kurti s’ka dëshirë që të zbardhet ky rast, meqë vetëm të pazbardhur mund ta përdorin si “kartë politike”.
“Kjo qeveri s’ka dëshirë që të zbardhet rasti Dehari. Një hipotezë e imja është kjo, që nga një hetim i pavarur dhe i drejt mund të dalë që Astrit Dehari nuk është vra. E këtyre politikisht iu duhet i vrarë. Këta e thonë përditë është vrarë, është vrarë është vrarë. Këta janë partia shtet dhe sillen ashtu. Kur e thonë këta, ai i bie që është vra, por si është e mundur që vetëm këta e dinë që është vra, por s’mund ta bien një vendim të fundit që mund ta vërtetoj”, ka thënë Gruda në FRONTAL.
Ai ka thënë se Vetëvendosjes i konvenon politikisht që ta përdorin rastin “Dehari” si vrasje dhe që ta mbajnë të pazgjidhur.
“Këtyre iu konvenon politikisht ta përdorin si vrasje. Ta mbajnë të pazbardhur në mënyrë që ta përdorin politikisht. Vetëm si i pazgjidhur rasti Dehari mund të shërbej si kartë politike”, ka shtuar tutje ai.
Tutje Gruda ka thënë se zyrtarët e Qeverisë, nga përvjetori i Astrit Deharit shkojnë më pas në Bruksel dhe “iu japin autonomi serbëve në Veri”.
“Këta shkojnë e nderojnë përvjetorin e vdekjes së tij. E prej përkujtimit shkojnë në Bruksel e bojnë autonominë për Veriun. Sepse dikush e ka thirrë në protesta”, është shprehur tutje Gruda.
Zyrtari i PDK-së ka thënë se zjarri në IML dhe mos sigurimi i një objekti të tillë të një rëndësie të madhe është tradhti ndaj Astrit Deharit dhe ndaj familjes së të ndjerit.
“Njerëzit janë thirrur në një proces politik që i ka çu drejt vdekjes. Nuk mund të tradhtosh idenë për të cilin ke thirrë njeriun me vdekë. Kjo që po ndodh sot është tradhti ndaj Astrit Deharit, është tradhti ndaj familjes. Familja Dehari pret që ky Institut të sigurohet që të mos preket asgjë, e jo që të mos i sigurohet as sistemi kundër zjarrit. Këtë e pret familja Dehari.”, ka shtuar tutje Gruda.