Site icon PrishtinaPress

Zyrtari i LDK-së në gjykimin ndaj Salih Mustafës: Në UÇK s’kishte dallime fetare apo partiake

Hazir Borovci ka thënë se Salih Mustafën e ka parë në fillim të prillit të vitit 1999 në fshatin Butovc të Prishtinës, ku sipas tij ata anë takuar edhe herë të tjera aty gjatë mesit të muajit prill të atij viti.

Borovci, i cili është dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Mustafës, ka thënë para trupit gjykues në Hagë, se Mustafa i ka këshilluar të mos i braktisin civilët shqiptarë dhe se këtyre të fundit u ka dhënë mbështetje morale.

Gjatë dëshmisë së tij, ndër të tjera, Borovci ka thënë se UÇK-ja nuk kanë ndikuar dallimet politike apo fetare.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit Julius Von Bone, Borovci ka thënë se ishte kyçur në Lidhjen Demokratike të Kosovës që prej fillimeve të saj. Ai ka treguar se gjatë luftës ka banuar në rrugën “Isa Kastrati” pranë Velanisë në Prishtinë dhe se aty ka qëndruar deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s.

Borovci: Në periudhën e luftës kam qenë nënkryetar i degës së LDK-së në Prishtinë

“Në atë periudhë isha veprimtar i Lidhjes Demokratike, gjegjësisht nënkryetari i Degës së Tretë, isha po ashtu pjesë e Këshillit të Emergjencës së Prishtinës, dhe ndjehem mirë para jush kur them isha pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ,se isha një prej ushtarëve, gjegjësisht çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kisha angazhime në degën time, në LDK, kisha angazhime në Këshillin Komunal të Emergjencës, gjegjësisht solidaritetit, dhe po ashtu me nder dhe kënaqësi e them para jush isha ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Borovci.

Ai ka bërë të ditur se në atë periudhë ka qenë edhe pjesë e Këshillit Komunal të Emergjencave në Prishtinë, deri më 24 mars ku bashkë me civilët janë detyruar të shpërngulen nga kryeqyteti.

Borovci: Në Prishtinë kemi qëndruar deri në fundin e marsit 1999

“Arrestoheshin, maltretoheshin fizikisht, merreshin në biseda, mbaheshin në biseda, dhe në çdo pjesë të lagjes nuk mund të hynte kush dhe të dilte kush pa i kontrolluar me përjashtim disa vijave që i kemi shfrytëzuar me shumë kujdes. Në Prishtinë kemi qëndruar deri nga fundi i marsit kur është rrethuar lagjja në tri drejtime, në momentin kur është rrethuar lagja në tri drejtime kemi dalë bashkërisht me popullatën”, ka thënë ai.

Borovci ka thënë se më 31 mars janë larguar nga kryeqyteti për në Butovc, një vend malor afër Prishtinës. Ai ka thënë se është vendosur në shtëpitë e familjes Reçica, të familja e Mustafë Sopit e Sinan Sopit, ndërsa një pjesë e popullit kishte shkuar në drejtim të lagjes Suteskë.

Në Butovc, ai ka thënë se kanë qëndruar deri më 12 qershor të vitit 1999. Aty, Borovci ka thënë se ka bërë edhe roje.

Avokati Von Bone e ka pyetur atë nëse është takuar ndonjëherë me Salih Mustafën për çka Borovci ka thënë se e ka parë atë rreth datës 2 apo 3 prill 1999 në Butovc.

Borovci: Salih Mustafën e kam takuar në fillim të prillit në fshatin Butovc

“Vendi ku unë kam ruajtur në atë pikën ku thashë. Afër është shtëpia e Mustafë Sopit, ku kanë qëndruar disa familje aty, dhe unë pasi e përfundova rojën, erdhëm për të pushuar, kaluam nga shtëpia e Mustafë Sopit, dhe aty e kam takuar Salih Mustafën. Më herët nuk e kam njohur Salih Mustafën por aty kur bënin Bajram dhe në bazë të asaj që më ka treguar profesor Sopi, edhe në bazë të fjalëve që u thoshte popullatës civile dhe na u drejtua edhe neve e kuptova që është fjala për Salih Mustafën”, ka thënë Borovci.

Ai ka thënë se me Mustafën është takuar edhe disa herë të tjera, përfshirë pjesën e dytë të muajit prill.

Borovci: Salih Mustafa na këshillonte të mos e lemë popullatën civile vetëm

“Gjatë kësaj periudha e kam parë disa herë dhe kemi biseduar jo shumë herë, por më shumë herë e kam parë sesa që kemi biseduar, sepse edhe na këshillonte, na sugjeronte na këshillonte, kur e kam parë për herë të parë e kam dëgjuar çka i këshillonte popullatën civile, atëherë më është kujtuar çka më ka thënë profesor Mustafë Sopi për të dhe e kam ditur që është Salih Mustafa. Java e parë e prillit deri pjesa e dytë e prillit, nëse më kujtohet 15,16,17 prilli, për këtë periudhë e pata fjalën. Kur e pash herën e parë i këshillonte, u jepte moral popullatës civile si të ndihmohen njëri me tjetrin, si t’i ndihmojnë fëmijët, ne na sugjeronte mos ta lëmë popullatën vetëm”, ka thënë ai.

Kur i është kërkuar të përshkruajë Salih Mustafën, Borovci ka thënë se i njëjti kishte xhaketë të ngjyrës së gjelbër duke shtuar se nuk ka pasur diçka të veçantë në dukjen e tij.

Borovci ka thënë se ai vetë është kyçur në UÇK që prej janarit 1998, ndërsa ka shtuar se nuk ka pasur dallime politik apo fetare brenda.

Borovci: Në UÇK nuk ka pasur dallime në aspektin politik e as fetar

“Sikur të kishte dallime, unë atëherë isha nënkryetar i degës së LDK-së, nuk ka pasur dallime as në aspektin partiak, as në aspektin fetar. Janë munduar të inskenojnë, të improvizojnë për të na përçarë, por kur është në pyetje liria, atdheu e vendi, të gjithë janë bërë bashkë dhe kanë qenë bashkë. Edhe LDK, edhe UÇK, edhe subjekte të tjera, dhe nuk ka pasur dallim as në aspektin fetar, as në aspektin partiak”, ka thënë dëshmitari Borovci.

Hazir Borovci është dëshmitari i katërt i mbrojtjes së Salih Mustafës i cili është arrestuar më 24 shtator 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Exit mobile version