1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Zyrtarët e Listës Serbe në festën antikshtetuese të Dodikut në Bosnje e Hercegovinë

Në festën, të cilën entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska (RS) e feston me këmbëngulje – ndonëse është jokushtetuese – të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, Lista Serbe.

Ndërkohë që lideri i Republikës Sërpska në Banjallukë, Millorad Dodik, më 8 janar po shpallte vendimin për dekoratën për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili është izoluar nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, përfaqësuesit e Listës Serbe nuk ishin ulur në rreshtin e parë.

Ky rresht ishte rezervuar për mysafirët që përfaqësonin autoritetet e Serbisë. Ndërkaq, në rreshtin e tretë ishin ulur Dragisha Milloviq, Vuçina Jankoviq dhe Ivan Todosijeviq.

Këta tre zyrtarë të Listës Serbe janë të angazhuar në institucionet serbe në veri të Kosovës, të cilat konsiderohen paralele dhe jolegale nga autoritetet në Prishtinë.

Milloviq është zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, Vuçina Jankoviq është kryetar i “Rrethit administrativ të Mitrovicës së Kosovës” që punon në sistemin serb, ndërsa Ivan Todosijeviq është kryetar i Organit të përkohshëm komunal në Zveçan, i cili gjithashtu financohet nga Beogradi.

Pesë ditë më vonë, duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL), Qeveria e Kosovës theksoi se pjesëmarrja e Listës Serbe në festën e organizuar në Republikën Sërpska, është dëshmi e fuqishme se Serbia ndërhyn në “punët e brendshme të vendeve fqinje përmes tentakulave të saj – siç është Lista Serbe”.

Ekzekutivi kosovar shtoi se zyrtarët e Listës Serbe gjithnjë e më shumë po lëvizin në “rrugë të paligjshme dhe antikushtetuese”.

“Nga barrikadat ilegale në Kosovë në ngjarjet antikushtetuese në Bosnje e Hercegovinë. Nga ‘Asociacioni i barrikadave’ te Republika Sërpska. Nga lufta kundër të rendit dhe ligjit në Kosovë te nderimi i presidentit të Rusisë, Putin”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai po ashtu vlerësoi se prania e ish-kryetarëve të komunave në ceremoninë e 8 janarit në Republikën Sërpska, mund të interpretohet si shprehje e projeksionit për realizimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashihet të formohet në përputhje me marrëveshjen e arritur në negociatat e Brukselit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Por, Qeveria e Kosovës e kundërshton këtë, ndër të tjera, për shkak të rrezikut që bashkimi institucional i dhjetë komunave ku jeton popullata shumicë serbe do të bartte me vete rrezikun e krijimit të një entiteti që do të destabilizonte Kosovën, si për shembull: pozita që ka Republika Sërpska brenda Bosnje e Hercegovinës, që është një nga faktorët kufizues të funksionimit të atij shteti.

Rolet në institucionet e Kosovës

Milloviq, Jankoviq dhe Todosijeviq deri vonë ishin të angazhuar edhe në institucionet e Kosovës.

Dragisha Milloviq ishte kryetar i Komunës së Zveçanit, sipas sistemit të Kosovës. Por, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, ai dha dorëheqjen si pjesë e dorëheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ri-regjistrimin e automjeteve me targa të Serbisë në ato të Kosovës.

Vuçina Jankoviq, gjithashtu ishte kryetar i Komunës së Zveçanit deri në tetor të vitit 2021, ndërsa Ivan Todosijeviq ishte pjesë e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Në pjesën veriore të urës mbi Lumin Ibër që ndan Mitrovicën, shihen flamujt e Serbisë. 

Radio Evropa e Lirë u përpoq të merrte komentet nga Milloviq, Jankoviq dhe Todosijeviq për pjesëmarrjen e tyre në festimin e Ditës së Republika Sërpska, por pa sukses.

Lista Serbe, nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me pjesëmarrjen e zyrtarëve të saj në festën në Banjallukë, më 8 janar, në prag të paradës së organizuar në Sarajevën lindore.

Lista Serbe, që nga themelimi i saj në vitin 2013, ka marrë pjesë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Ajo gëzon mbështetjen e autoriteteve në Serbi dhe aktualisht ka nëntë deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa postin ministror e humbi pasi kryetari i partisë, Goran Rakiq, dha dorëheqje.

Pse është e kontestueshme prania e Listës Serbe në festë?

Republika Sërpska e shënon 9 janarin, si datën në të cilën, në vitin 1992 u shpall Deklarata për Republikën e popullit serb, si njësi e pavarur në Bosnje e Hercegovinë, me qëllim që t’i bashkohej Jugosllavisë.

Dy muaj më vonë, u mbajt referendumi i njohur ndërkombëtarisht për pavarësinë e Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq katër muaj më vonë, kjo ish-republikë jugosllave u zhyt në gjakderdhjen që zgjati për tre vjet e gjysmë.

Kjo festë kontestohet nga institucionet e Bashkimit Evropian, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë (OHR) dhe vendet perëndimore, sepse festimi i 9 janarit për ta paraqet një sulm ndaj Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Dejtonit për paqe.

Gjithashtu, gjesti i dhënies së dekoratës për Putinin në atë ditë, u dënua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Vendimi i Millorad Dodikut për t’i ndarë dekoratë Vladimir Putinit, personit që nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës që ka rezultuar me vdekjen e mijëra civilëve dhe shkatërrim masiv të infrastrukturës, është vendim që dënohet. Vendimi ishte në kundërshtim me vlerat e komunitetit euroatlantik dhe të rendit ndërkombëtar”, u tha në deklaratën e Ambasadës amerikane në Sarajevë të publikuar më 9 janar.

Lidhjet e Listës Serbe me Republikën Sërpska

Politologu Ognjen Gogiq tha se marrëdhënia e ngushtë mes Listës Serbe dhe Republika Sërpska është inkurajuar nga Beogradi dhe se ka vite që po zhvillohet.

Ai shtoi se prezenca e përfaqësuesve politikë të serbëve nga Kosova në festën e Ditës së Republikës Sërpska nuk është diçka e re, por theksoi se këtu bëhet fjalë edhe për politikën e “unitetit serb”, të cilën e promovon Beogradi zyrtar.

“Si pjesë e kësaj, është paraqitur ngjarja në Sarajevën lindore [festimi i Ditës së Republikës Sërpska], ku ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Malit të Zi, nga Kosova dhe Serbia. Pra, këtu demonstrohet uniteti serb”, tha Gogiq.

Ai gjithashtu theksoi se politika e Republikës Sërpska ndaj Rusisë dhe Vladimir Putinit nuk e ka mbështetjen e plotë të Beogradit.

“Në këtë pikë Serbia po balancon, ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, është kundër luftës, por nuk dëshiron të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Ajo që ndodhi, që iu nda dekorata [Vladimir Putinit] është më shumë politikë e Republikës Sërpska. Ai [Millorad Dodik] u nxori telashe Serbisë dhe serbëve të Kosovës. Serbia dhe Lista Serbe nuk kanë nevojë fare për një gjë të tillë, një qëndrim kaq i hapur në anën e Putinit”, tha ai.

Gogiq shtoi se “shpërthimet” e udhëheqjes së Republikës Sërpska duhet të tolerohen për shkak të marrëdhënieve të ngushta, por jo “pse ata nuk kanë simpati për Putinin, por sepse politika zyrtare është të mos e mbështesin hapur”.

Lidhjet e Listës Serbe me Rusinë

Spekulimet për përfshirjen e shërbimeve ruse në ngjarjet e fundit në Kosovë nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por disa burime nga institucionet e sigurisë së Kosovës kanë thënë për REL-in se pjesëtarë të shërbimeve dhe organizatave ruse janë përfshirë në krizën e fundit në veri të Kosovës. Moska ka mohuar akuzat për përfshirjen e saj në ato ngjarje.

Në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar, serbët lokalë ngritën barrikada për shkak të arrestimit të bashkëkombësit të tyre Dejan Pantiq, të cilin autoritetet kosovare e akuzuan për pjesëmarrje në sulmin mbi objektin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës. Ndërkohë, Pantiqit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak dhe barrikadat janë hequr.

Në vitin 2017, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, së bashku me drejtorin e atëhershëm të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, u takuan me sekretarin e përgjithshëm të partisë ruse në pushtet, Rusia e Bashkuar, Sergei Zheleznyak.

Rusia e Bashkuar e ka mbështetur zyrtarisht Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të Kosovës në vitin 2017, si dhe për pjesëmarrjen e saj në institucionet e Kosovës.

Për më shumë, përfaqësuesit e Rusisë kanë qenë të pranishëm në barrikada, të cilat janë vendosur në veri të Kosovës, që nga viti 2011.

Në vitin 2011, Rusia dërgoi “ndihma humanitare” për serbët në barrikada, në shenjë mbështetjeje. Paraprakisht, ambasadori i atëhershëm i Rusisë në Beograd, Aleksandar Konuzin, kishte vizituar personalisht barrikadat në veri të Kosovës së bashku me Misha Vaçiqin, i cili themeloi lëvizjen “E djathta serbe”, në vitin 2017.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img