Site icon PrishtinaPress

Zyrtare: Shtyhet ndeshja Manchester United – Brentford, shkak shpërthimi i Covid-19 te djajtë e kuq

Manchester Unitedi ka njoftuar se ndeshja kundër Brentfordit në Premierligë, e paraparë për sonte në mbrëmje, është shtyrë për një datë tjetër, për shkak të shpërthimit të Covid-19 në Old Trafford.

Një numër i madh i lojtarëve dhe anëtarëve të stafit të Unitedit dolën pozitivë në testin për Covid-19 të dielën dhe u dërguan në shtëpi si pasojë.

Klubi i anuloi stërvitjet e së hënës, para se bisedimet me zyrtarët e Premierligës të çonin drejt shtyrjes së ndeshjes po ashtu.

Unitedi druhet se virusi mund të shpërndahet edhe më shumë, prandaj e mbylli qendrën stërvitore Carrington dhe vendosi të mos udhëtojë fare drejt Londrës për takimin e së martës.

Në një njoftim të hënën vonë, Unitedi shkroi: “Manchester Unitedi mund të konfirmoj se ndeshja jonë e Premierligës kundër Brentford FC, të martën më 14 dhjetor në orën 19:30, është shtyrë dhe do të ricaktohet orari i saj me kohë”.

Unitedi u bë klubi i dytë pas Tottenham Hotspur që goditet nga një numër i madh rastesh me koronavirus brenda klubit.

Tottenhami është prekur më së keqi nga Covid-19, pasi 13 lojtarë të tij dolën pozitivë të enjten dhe si pasojë ndeshja e tyre kundër Rennes në Evropa Conference League u shty e bashkë me të edhe takimi i fundjavës kundër Brighton në Premierligë.

Exit mobile version