Kryeministri Albin Kurti pritet të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në varrimin e Sekretares Albright. Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Bashkë me Presidenten Vjosa Osmani, zyra e së cilës e ka konfirmuar shkuarjen, në Washington, D.C, pritet të udhëtojë edhe shefi i Qeverisë, Albin Kurti.
Kjo nuk është vizita që Kurti e ka paralajmëruar prej kohësh dhe, siç mëson Gazeta Express, Kryeministri do të shkojë në D.C në fillim të javës së ardhshme dhe do qëndrojë atje pak ditë.
Ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright do të mbahet të mërkurën, më 27 prill, në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.
Pjesëmarrja në ceremoni është e mundur vetëm me ftesa, ndërsa ajo do të transmetohet direkt në platforma digjitale.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Vjosa Osmani merr pjesë në ceremoni me ftesë të familjes Albright.
“Presidentja Osmani do të udhëtoj për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera”, thuhej në konfirmimin e Presidencës.
Ndërsa, siç mëson Express, nuk ka ndryshuar asgjë rreth vizitës së paralajmëruar për në maj nga Kryeministri dhe ajo pritet të ndodhë. Kurti pati thënë se në SHBA, kur të shkojë në pranverë, do të qëndrojë më gjatë.
“Por nuk vjen në shprehje rishikimi i buxhetit në mes vit pa shkuar unë në ShBA, sepse po e shoh se ndoshta ju jeni më të interesuar se unë. Edhe unë jam i interesuar që të shkoj, edhe kjo do të ndodhë në këtë pranverë. Edhe jo që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Do të më duhet të qëndrojë pak më shumë se zakonisht ashtu që edhe do të mund të ma bëni pyetjen “e kur do të ktheheni”, u kishte thënë Kurti gazetarëve. /Express/