Gjykata në Pejë ia njohu Zyrafete Huskajt pronësinë në gjysmën e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse në Lubeniq të Pejës.
Gjysma e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse në Lubeniq të Pejës do i takojnë Zyrafete Huskajt, pas vendimit të marrë nga Gjykata Themelore në Pejë në lidhje me kontestin mes saj dhe ish-bashkëshortit Hasan Huskaj.
Aktgjykimin për shtëpinë kontestuese e mori gjyqtarja Merita Baloku.
“Vërtetohet se paditësja Zyrafete Huskaj nga fshati Lubeniq,Komuna e Pejës e me vendbanim në Voieasen 37 d Kristiansand s 4623 shteti i Norvegjisë, është pronare në bazë të kontributit nga bashkësia martesore e një të dytës-pjesës ideale të shtëpisë së ndërtuar e tipit P+1K +NK,si dhe dhe një të dytës pjesë ideale të objektit përcjellës ndihmës garazh dhe shupë të ndërtuara afër kësaj shtëpie në anën veriore në ngastrën kadastrave 283/0 ZK Lubeniq,” thuhet në aktgjykim e nxjerrë nga Gjykata Themelore e Pejës.
Në pikën e dytë të aktgjykimit thuhet së i padituri Hasan Huskaj nga fshati Lubeniq me vendbanim në Voieasen 37 d Kristiansand s 4623 të Norvegjisë detyrohet që t’ia njohë këtë të drejtë ish-bashkëshortes së tij dhe ta lejojë që përmes ndarjes fizike ta ketë në posedim të lirë faktik.
Po ashtu sipas aktgjykimit Hasan Huskaj detyrohet t’i paguajë ish- gruas së tij shpenzimet procedurale në shumën prej 1826 eurove.
Hasan Huskaj tha për KALLXO.com se është i pakënaqur me vendimin e gjykatës dhe për të njëjtin vendim do bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Ai po ashtu theksoi se nga fillimi ka dyshuar në njëanshmërinë e gjyqtares Merita Baloku dyshime të cilat i ka cekur edhe avokati i tij në fjalën përfundimtare.
Huskaj tha së vendimi i Gjykatës në Kosovë sipas tij do rinisë gjykim sërish në shtetin norvegjez mes ish çiftit.
“Tash pasi e ka pru gjykata e Pejës ketë vendim si na paskemi bashkëjetuar, avokati im në Norvegji dje me ka lajmëruar se ne prapë do të shkojmë në gjykim këtu, që me e lyp me nda edhe banesën e saj këtu,” tha Huskaj.
KALLXO.com nga fillimi kishte raportuar rreth këtij gjykimi ku bashkëshortja kishte kërkuar t’i njihet kontributi në ndërtimin e shtëpisë.