Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, shkoi në Presidencë për t’u takuar me presidenten Vjosa Osmani, pas ftesës së saj për të diskutuar rreth draftit për Asociacionin, por se Osmani u vonua dhe takimi s’u realizua për këtë arsye.
Por, nga Presidenca thonë se nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka informuar presidenten Osmani për arritjen e tij.
“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij”, tha për Gazetën Express Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes.
Ai shtoi se ftesa e Osmanit për Haradinaj qëndron e hapur.
“Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka thënë për Express se kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani për t’u takuar rreth Asociacionit, por se Osmani është vonuar dhe se Haradinaj s’e ka pritur.
“Dje e kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit. Kryetari Ramush Haradinaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga Presidentja Osmani, por fatkeqësisht Presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”, ka thënë Xhemaili.
Osmani ka ftuar tre liderët e partive opozitare parlamentare për të diskutuar rreth draftit të Asociacionit të propozuar nga ndërmjetësit.
Deri më tani ajo është takuar vetëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.