Zyra e kryeministrit për media ka njoftuar për takimin e kryeministrit Albin Kurti me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak si dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar për dialogun me Serbinë dhe është arritur dakordim që barrikadat e vendosura në rrugët e veriut, duhet të hiqen.
“Diskutuan për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale. Në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Qeveria ka theksuar se Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër.
Në njoftimin e qeverisë nuk është përmendur kërkesa e Escobar për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Pas takimit, në një deklarim për mediat, Escobar ka thënë se ka qenë “shumë i qartë” në këtë kërkesë të tij para kryeminsitrit të Kosovës.
“Unë e bëra të qartë edhe pritjen time që të fillojmë të flasim për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E bëra shumë të qartë, prandaj shpresoj që do të shohim angazhim gjatë kësaj krize në një të ardhme të afërt”, ka deklaruar Escobar pas takimit me Kurtin.