Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se i duhet të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit në Kuvend që t’i lëshohet rruga përmirësimit, e një gjë e tillë ndodhi e kryeministri qysh sot fillon me aktivitete.
Kështu i tha lajmi.net, Halil Matoshi, drejtori i zyrës për informim në qeverinë e Kosovës.
Ai tha, se kryeministri Haradinaj sot do të ketë takim me Komisionin Shtetëror për përcaktimin dhe mirëmbajtën e vijës kufitare dhe menjëherë do të fillojnë relacionet më Podgoricën zyrtare për korrigjimin.
“Qysh sot fillojnë aktivitetet e kryeministrit. Kryeministri sot ka takim me Komisionin Shtetëror për përcaktimin dhe mirëmbajtën e vijës kufitare dhe menjëherë do të fillojnë relacionet më Podgoricën zyrtare për korrigjimin sipas aneks marrëveshjes që të ndodhë në afat optimal. Qeveria e Kosovës është shumë optimiste se kjo edhe do të ndodhë”, ka thënë Matoshi.
Tutje, Matoshi ka thënë se Qeveria e Kosovës do t’i ndërmerr të gjithë hapat konform me projektligjin e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.