Zyra e Komunitetit të Biznesit pranë Kuvendit të Kosovës mirëpret vendimin për inicimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Faljen e Borxheve Publike që vjen disa ditë pas kërkesës zyrtare të kësaj zyreje në takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.
Sipas një komunikate të kësaj Zyre, thuhet se Zyra e Komunitetit të Biznesit konsideron se zgjatja e afatit për një periudhë gjashtëmujore do të mundësojë përmbylljen me sukses të këtij procesi.
Ja komunikata e plotë:
Zyra e Komunitetit të Biznesit përshëndet zgjatjen e afatit për shlyerjen e borxheve publike
Prishtinë, 2 shtator 2016 – Zyra e Komunitetit të Biznesit pranë Kuvendit të Kosovës mirëpret vendimin për inicimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Faljen e Borxheve Publike që vjen disa ditë pas kërkesës zyrtare të kësaj zyreje në takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.
Zyra e Komunitetit të Biznesit konsideron se zgjatja e afatit për një periudhë gjashtëmujore do të mundësojë përmbylljen me sukses të këtij procesi. Në të njëjtën kohë, Zyra e Komunitetit të Biznesit pranë Kuvendit të Kosovës kërkon nga bizneset në Kosovë që të shfrytëzojnë me kohë këtë mundësi finale që do t’u ofrohet atyre për shlyerjen e borxheve publike.
Zyra e Komunitetit të Biznesit po ashtu kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe institucionet e tjera që të punojnë për shtyrjen përpara të kërkesave të tjera të komunitetit të biznesit, të parashtruara para disa ditësh në një dokument të përbashkët të të gjitha organizatave anëtare që përfaqësojnë interesat e sektorit privat dhe komunitetit profesional. Këto kërkesa përfshijnë edhe kthimin e një mekanizmi për shqyrtimin e pavarur të ankesave për kontestet e bizneseve me Administratën Tatimore dhe Doganën, zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore, finalizimin e Udhëzimit Administrativ për Pushimet Tatimore, plotësim-ndryshimin e Ligjit të Punës, si dhe inicimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Përmbushja e kërkesave të sipërcekura do të mundësonte krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të bërë biznes dhe rrjedhimisht fuqizimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja, parakushte këto për përmirësimin e perspektivës ekonomike dhe sociale të vendit.
Zyra e Komunitetit të Biznesit është themeluar në vitin 2015 me iniciativë të Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, dhe momentalisht kryesohet nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, derisa anëtarët e tjerë të Zyrës janë Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit, Këshilli i Investitorëve Evropianë, Oda Ekonomiko Gjermano-Kosovare, Dhoma Tregtare Kosovaro-Turke, Shoqata e Bankave të Kosovës, Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve, Klubi i Prodhuesve dhe Shoqata e Eksportuesve të Kosovës.