Site icon PrishtinaPress

Zv/ministri Mustafa flet për arrestimin e 59 policëve

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Nehat Mustafa, ka folur për arrestimin e 59 policëve të trafikut, duke thënë se lajmi për arrestimin e tyre ishte sa zhgënjyes aq dhe i mirëpritur.

Mustafa siç ka shkruar në një status në Facebook ka thënë se ky numër në bazë të atyre që fliten nga qytetarët por edhe brenda policisë nuk paraqet numrin real të të korruptuarve, duke theksuar se brenda PK-së numri i të korruptuarve dhe i atyre që keqpërdorin është shumë i madh.

Ai ka thënë se brenda Policisë së Kosovës ka edhe shumë çështje të tjera që duhet të diskutohen, sic janë frekuentimi i kazinove nga pjesëtarët të këtij institucioni si dhe ruajtja e disktokave të vendit nga disa policë, e në këto vende siç ka thënë Mustafa dyshohet se ka edhe përdorim të substancave narkotike.

 

Ky është statusi i plotë i Mustafës:

Arrestimi i 59 policëve, përgjegjësia e tyre penale dhe mungesa e përgjegjësisë menaxheriale

 

Arrestimi i 59 policëve nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës ( Departamentit për Hetime Speciale, department ky që tanimë është eleminuar nga organogrami i IPK-së) ishte lajm sa zhgënjyes, po aq edhe I mirëptitur. Ishte zhgënjyes , sepse qytetarët e Kosovës duan që ta kenë një polici të moralshme dhe të pakorruptuar, ndërsa u mirëprit , sepse qytetarët duan që të gjithë të korruptuarit të marrin dënimin e merituar.

Arrestimi i 59 policive të trafikut në vetëm 4 drejtori ( M. e Jugut, M.e Veriut, Prizren dhe Autostradë) , pra me një mesatare prej 15 policësh, mund të interpretohet edhe si një aksion I lënë në gjysmë dhe I cili mund të sillte edhe dhjetëra të arrestuar. Teoritiksht, sikur ky aksioni të zhvillohej edhe në 5 drejtoritë e tjera rajonale, ndoshta ( teoria e probabilitetit) do të kishim edhe 75 policë të arrestuar , apo në total rreth 134 polic. Dhe kjo nuk është e tëra, sepse këtu bëhet fjalë vetëm për policë të trafikut.

Policia e Kosovës në përgjithësi është shumë profesionale dhe që përbëhet nga pjesëtarë shumë të ndërgjegjshëm e shumë të moralshëm. Por, nga ajo që flitet prej qytetarëve dhe nga brenda vet policisë, numri I të korruptuarve dhe I atyre që keqpërdorin është shumë më I madh se këta që janë arrestuar.

Është momenti I fundit që Policia e Kosovës të filloj një reflektim të brendshëm, sepse kjo I ndihmon parasegjithash vet policisë. Pastrimi I policisë nga elementet kriminale dhe të korruptuara është shërbimi më I madh që mund t`iu bëhet qytetarëve .

Flitet se veprimet korruptive të policëve të arrestuar, për vite të tëra kanë qenë të njohura për qytetarët dhe vet kolegët e tyre. Prandaj, shtrohet pyetja se cfarë kanë ndërrmarrë shefat ( eprorët) e tyre për ti penguar këta ? Pra , këtu kemi edhe pjesëmarrje në krim të shefave të tyre, të cilët me mosveprim kanë lejuar korrupcionin. Mosveprimi I shefave ( eprorëve) ka bërë që policët e arrestuar të vazhdonin për periudhë të gjatë zhytjen në ujërat e korrupcionit.

Sigurisht që policët e arrestuar do ti nënshtrohen përgjegjësisë penale për veprat me të cilat ngarkohen. Por, pse ka hezitim në shtruarjen e përgjegjësisë menaxheriale ndaj shefave ( eprorëve) të tyre. Deri më tani nuk kemi dëgjuar për masa të marra ndaj shefave që për vite të tëra kanë lejuar korrupcionin e këtyre policëve të arrestuar. Përgjegjësia menaxheriale parandalon korrupcionin dhe keqpërdorimin nga ana e policiëve. Prandaj, më mirë është të merren masa parandaluese se sa përballja me pasojat. Policia e Kosovës ka kapacitet ta bëjë këtë, por duhet vendosmëri më e madhe.

PS: Ka edhe shumë çështje që duhet të diskutohen më me vendosmëri brenda Policisë së Kosovës. Ka përfolje se:

– shumë policë janë frekuentues të rregullt të kazinove dhe se aty humbin shuma parash shumë herë më të mëdha se të ardhurat e tyre mujore nga pagat. Nga prejardhja e atyre parave ?!;

– policë të caktuar ruajnë diskotekat me në emër anëmbanë Kosovës, diskoteka në të cilat ka dyshime se përdorën lëndë narkotike dhe shërbehen pijet alkoolike për të miturit, ( pse po dështojnë shumë aksione të Drejtorisë për Hetimin dhe Trafikimin e Narkotikëve ?!);

– policë ( besa edhe eprorë ) të caktuar më shumë mund ti shohësh në ambiente të universiteteve publike e kolegjeve private , se sa në zyrat e tyre të punës, etj.,etj.

Heshtja përballë këtyre fenomeneve zbehë punën e madhe që ka bërë e po bënë Policia e Kosovës. Është koha e fundit të tregohet vendosmëri më e madhe në luftimin e këtyre dukurive.

Exit mobile version