Site icon PrishtinaPress

Zv/ministri i Drejtësisë akuzon Prokurorinë Speciale për hakmarrje: Çështja civile tentohet të kthehet në çështje penale

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar rreth temës së rezervave shtetërore, teksa është shprehur se çështja me karakter komplet civil po tentohet të kthehet në çështje penale si formë hakmarrje ndaj Qeverisë Kurti.

Në një postim në Facebook, Sallahu deklaron se kontrata që lidhet mes shtetit dhe një operatori ekonomik ndërkombëtar, që përcakton sasinë, çmimin dhe pagesën e mallit, nuk mund të ketë karakter tjetër përveçse civil.

“Ky kontest civil zgjidhet në gjykatën kompetente të përcaktuar në kontratë. Pra, zgjidhja e kontestit civil determinon se a mund të ketë vepër penale në këtë rast ose jo. Siç shihet nga provat dhe faktet operatori ekonomik nuk ka sjellë mallin në tërësi dhe kësisoj gjykata mund të marrë vendim duke detyruar operatorin e tillë ekonomik për dëmshpërblim. Prandaj në këtë rast në asnjë formë nuk ka përgjegjësi penale”, ka shkruar Sallahu.

Sallahu totë se mosrealizimi i kontratës nga ana e oparatorit ekonomik duke nuk përbën vepër penale, iu nënkuptuar mungesën e mallrave në rezervën shtetorore.

“Pra, realizimi i kontratës bonafide nga MINT dhe mosrealizimi i kontratës nga operatori ekonomik në tërësi nuk përbën vepër penale por bazë të mjaftueshme për realizim të dëmshpërblimit në Gjykatë. Nëse vendimi i tillë merret në gjykatën kompetente në Kosovë, atëherë ky vendim njihet dhe ekzekutohet në vendin ku ndodhet selia e operatorit/ve ekonomik”.

“Nëse do të shkonim me supozimin se secili mosrealizim i kontratës ose realizim i pjësshem i kontratës do të plotësonte figurën e veprës penale atëherë krejt qytetarët e këtij shteti do të jenë përgjegjës penalisht dhe do ta shuanim të drejtën civile si degë të së drejtës”, ka vijuar Sallahu.

Ai ia ka përmendur Prokurorisë Speciale në rastin “Vicianum”, duke thënë se aty flitet për përgjegjësi civile e jo penale.

“Për fund, vet Prokuroria Speciale ka mbyllur rastin e Vicianumit (pronë e Shërbimit korrektues të Kosovës ku i është dhënë në shfrytëzim për afat 10 vjeçar një personi fizik, pastaj është regjistruar si person juridik) ku është lidhur kontratë bash pa asnjë bazë ligjore, ku janë rrënuar objektet shtetërore, duke theksuar në aktvendim për hedhjen e kallzimit penal se ka shkelje procedurale dhe civile, por jo penale”.

“Edhe njëherë, e njëjta “Prokurori Speciale” e ka bërë këtë veprim. Prandaj, është keqpërdorim i mekanizmave ligjor për hakmarrje, e asgjë më shumë!”, ka shkruar tutje Sallahu.

Në Dosjen e Prokurorisë Speciale pretendohet se buxheti është dëmtuar për 601 mijë euro.

Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave në MINT, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, si dhe biznesmen Ridvan Muharremi, u arrestuan të premten.

Exit mobile version