0.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

ZRRE s’tregon si do të kompensohen qytetarët që u faturuan për rrymën në veri

Zyra e Rregullatorit për Energji s’ka treguar se si dhe sa do të kompensohen qytetarët që kanë paguar për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore të vendit. Nga ky institucion vetëm kanë thënë se janë në proces të vlerësimit të aktgjykimit të Supremes dhe se në përputhje me dispozitat ligjore ne fuqi do te ndërmarrin veprimet e nevojshme.

Gjykata Supreme u ka dhënë të drejtë qytetarëve që të kërkojnë kompensim për faturimin që u është bërë për disa vite për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore, duke refuzuar kështu kërkesën e ZRRE-së.

Sipas Aktgjykimit të Supremes, ata kanë të drejtë për kthimin e këtyre mjeteve. Pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në këto komuna me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, Supremja i ka konsideruar si të paqëndrueshme.

“Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, ka njoftuar Supremja.

Nga Zyra e Rregullatorit për Energji kanë treguar se e kanë pranuar Aktgjykimin e Supremes.

Petrit Pepaj nga ZRRE i ka thënë Gazetës Express se është në proces të vlerësimit të këtij aktgjykimi dhe se në përputhje me dispozitat ligjore ne fuqi, ZRRE do te ndërmerr veprimet e nevojshme.

Nga ky institucion s’janë përgjigjur për mënyrën apo shumën që do të kompensohen konsumatorët.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, ka pranuar Aktgjykimin nga Gjykata Supreme me datë 3 prill 2023. Zyra e Rregullatorit për Energji, është në proces të vlerësimit të këtij aktgjykimi dhe në përputhje me dispozitat ligjore ne fuqi do te ndërmerr veprimet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Pepajt.

Përmes një Aktgjykimi që ishte nxjerrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ZRRE obligohej që të ndërmarrë veprime që e obligojnë KEDS-in që të bëjë kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 40 milionë e 855.480.00 euro.

Ndryshe, në një postim të bërë para një muaji, Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se se që nga viti 1999, për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit që serbët në veri nuk kanë paguar.

Kurti tha se për mospagesën e faturave në veri nuk kanë faj serbët që jetojnë atje, por ai për këtë fajësoi “strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia”.

“Që nga viti 1999, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve të Serbisë, sikurse janë mbajtja e tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që të paguajnë TVSH-në te Serbia për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, shkroi Kurti.

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, më 2013 kanë arritur Marrëveshje për energjinë, që synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, të banuar me shumicë serbe.

Por, kjo marrëveshje nuk është zbatuar dhe në qershor të vitit 2022, palët arritën pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë, përmes një udhërrëfyesi për energjinë.

Megjithatë, as ky udhërrëfyes nuk është zbatuar dhe gjatë vitit të kaluar, BE-ja ka pranuar se ka vonesa në zbatimin e tij, duke theksuar se përgjegjësinë përfundimtare për zbatimin e udhërrëfyesit e kanë Kosova dhe Serbia.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img