Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të ketë rritje të tarifave të rrymës për 13.4% për vitin 2023, pas kërkesës së bërë nga Furnizuesi Publik – KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.
Rregullatori ka propozuar që të hyrat maksimale të lejuara për Furnizuesin Publik – KESCO për vitin 2023 të jenë 393.8 milionë euro, apo një rritje prej 13.4% krahasuar me vitin 2022 kur buxheti ishte caktuar në 347.2 milionë euro.
Edhe këtë vit, Qeveria e Kosovës do të subvencionojë tarifat e energjisë me 24.6 milionë euro. Këto mjete ishin zotuar vitin e kaluar, por Qeveria e Kosovës ishte vonuar t’i alokojë me kohë, prandaj janë bartur në vitin 2023.
“Pas vlerësimit të kostove, ZRRE ka konkluduar se devijimi ka tejkaluar Pragun e Materialitetit dhe, më 11 janar 2023 ka njoftuar palët për fillimin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm” – thuhet në arsyetimin e ZRRE-së për hapje të shqyrtimit të jashtëzakonshëm.
KESCO në raportin e tyre kanë thënë se kiza energjetike dhe ajo ekonomike që e kanë karakterizuar vitin 2022 dhe që do të vazhdojë të jete prezent edhe përgjatë vitit 2023, tashmë e kanë dëmtuar rëndë gjendjen financiare të FSHU-së.
“FSHU-ja tashmë është përballur me probleme të mëdha financiare dhe i duhet kohë për tu rikuperuar, prandaj çdo reflektim do të ketë ndikim pozitiv në operimin e duhur të FSHU-së” – thuhet në aplikimin e tyre për tarifa të vitit 2023.
Në propozimin e Rregullatorit nuk janë marrë parasysh gjitha kërkesa e bërë nga KESCO që të hyrat e lejuara për vitin 2023 të jenë 500 milionë euro.
ZRRE-ja ka vlerësuar se gjatë vitit 2023, çmimi mesatar i energjisë së importuar do të jetë 171 euro për MWh.
“Çmimi i parashikuar për blerjen e energjisë nga importi është bazuar në të dhënat e publikuara nga European Energy Exchange (EEX-PXE Hungarian Power Futures) për çmimet mujore që kanë rezultuar më datë 9 shkurt 2023” – thuhet në arsyetimin e tyre, shkruan KALLXO.
ZRRE ka thënë se në parashikimin e blerjeve të energjisë ka marrë parasysh shkëmbimet të energjisë në mes të KEK-ut dhe KESH-it të Shqipërisë për muajt janar, shkurt dhe për gjysmën e muajit mars.
Struktura tarifore do të mbetet e njëjtë për vitin 2023. Aktualisht, tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës. Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.
Ky është vetëm propozimi fillestar i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilët pas pranimit të komenteve pritet të marrin vendimin finale për tarifa të energjisë për vitin 2023.
Në fund të janarit, Ministria e Ekonomisë njoftoi se mbi 76.8 milionë euro është subvencionimi i tarifave të energjisë elektrike nga Qeveria e Kosovës për qytetarët nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022.
Kështu ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, e cila ka theksuar se në këtë shumë nuk janë llogaritur subvencionet shtesë për kursimin e energjisë.
Tarifat e energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022.
Në muajin shkurt, Qeveria e Kosovës e ka miratuar vendimin me zotimin për subvencionimin e energjisë. Qeveria e Kosovës ishte zotuar se do t’i jap 90 milionë euro për subvencionim të energjisë.
Paratë e zotuara nga Qeveria e Kosovës nuk ishin ndarë për disa muaj me radhë. Madje në muajin korrik të vitit 2022, për shkak të mosndarjes së parave të zotuara, KESCO kishte kërkuar përsëri shtrenjtim të rrymës. Derisa Zyra e Rregullatorit të Energjisë po e shqyrtonte kërkesën e KESCO-s për shtrenjtim të rrymës, Qeveria e Kosovës në muajin gusht ka ndarë 41 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt 2022.
Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mosprodhimit të sasisë së duhur të energjisë nga KEK.