“Me një letër të komandantit të KFOR-it në vitin 2009, Kosovës i është ndaluar që t’i shkyç nga rrjeti elektrik serbët në veri të vendit, ani pse ata nuk paguajnë për rrymën që e shpenzojnë”, tha kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu.
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu ka deklaruar se katër komunat veriore me shumicë serbe, nuk do të kenë rritje të çmimit të energjisë. Pasi sipas tij, ata nuk janë pasqyruar fare në raportin konsultativ për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
I pyetur se pse pjesa veriore e vendit nuk është përfshirë në raportin ku ZRRE-ja shqyrtoi dhe propozoi shtrenjtimin e rrymës, Fejzullahu tha se për energjinë e papaguar elektrike në veri, ky institucion është paditur nga Avokati i Popullit dhe si pasojë e kësaj çështjeje gjyqësore, çmimin e rrymës së papaguar në katër komunat veriore e paguan Qeveria e KOSTT-i.
“Edhe ajo pjesë ka qenë e përfshirë në tarifat e energjisë elektrike deri në vitin 2018. Avokati i Popullit ka ngrit një ankesë dhe e ka paditë ZRRE-në për të cilën jemi në proces gjyqësor. Ajo kosto nga viti 2017, dhjetor të vitit 2017 është hequr apo nuk është barrë e konsumatorëve dhe ajo ka kaluar përmes buxhetit të Kosovës, pastaj është mbuluar nga KOSTT-i dhe ZRRE-ja meqenëse ia ka ndaluar gjykata që ta përfshijë këtë kosto, ne nuk e kemi marrë parasysh as në kalkulimet e mëhershme meqenëse jemi në proces gjyqësor”, tha ai.
Fejzullahu tha se ky është problem politik, ndërsa tregoi se komandanti i KFOR-it në vitin 2009 kishte kërkuar që komunat veriore të mos shkyçen nga rrjeti energjetik.
“Sa për informimin e publikut, në 2009-ën kemi pasur edhe zyrtarisht letër nga komandanti i atëhershëm i KFOR-it i cili ka kërkuar që këto katër komuna nuk guxon të shkyçen nga rrjeti energjetik, e për të cilën kanë qenë të informuar të gjithë, edhe kryeministri i atëhershëm, edhe presidenti, edhe kryetari i Policisë dhe të gjitha institucionet për shkak se ajo është zonë ku jetojnë komunitetet e ndryshme dhe rritet pasiguria”, tha ai.
Duke folur për krizën energjetike në vend, Fejzullahut, tha se Kosova ka importuar energji elektrike me çmim tetë herë më të lartë dhe se gjatë muajit dhjetor 2021 është arritur piku maksimal i konsumit ditor të rrymë.
“Me kapacitet ekzistuese, prej 1,300MWh ka kaluar në 1,400MWh në periudhën e dimrit, në muajin dhjetor, e që është piku maksimal jo vetëm që nga paslufta, ky është piku maksimal që është arritur në Kosovë. Diferenca e kësaj sasie të energjisë është dashur të importohet me çmim nga 7 here deri në 8 herë më lartë me çmimet e importit në katër vitet e kaluara, e mos të flasim që çmimet e gjenerimit janë 10 herë më të shtrenjta se ai i çmimit vendor”, tha Fejzullahu.