Prokurori Matthew Holing nga Zyra e Prokurorit Special (ZPS) të hënën në deklaratën përmbyllëse ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të shpallen fajtor për të gjitha akuzat me të cilat janë ngarkuar.
Ndryshe, Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Prokurori Metthew Holing ka thënë se Gucati e Haradinaj i kanë bërë krimet në mënyrë të hapur përmes video-incizimeve me anë të së cilave donin të pengonin procedurat, të frikësonin dhe të hakmerreshin kundër atyre që kishin bashkëpunuar me DhSK, gjë që siç tha ai edhe ka ndodhur.
“Ata donin të pengonin procedurat, donin të dhunonin sekretin e procedurave dhe donin të frikësonin dhe të hakmerreshin kundër atyre që kanë bashkëpunuar me këtë gjykatë dhe kjo ka ndodhur dhe ZPS e ka provuar këtë lidhur me çdo element të të gjitha pikave të aktakuzës, dosjet e palës mbrojtëse nuk dëshmojnë asgjë tjetër, ato nuk dëshmojnë dhe nuk mund ta dëshmojnë”, tha prokurori.
Ai ka thënë se është e qartë se të akuzuarit besojnë që hetimi i duhur i luftës së Kosovës do të qonte në përgjymtimin vetëm të keqbërësve serb por siç tha ai, jo edhe të UÇK-së.
Kur të akuzuarit akuzojnë ZPS që ajo po ushtron drejtësi selektive apo përzgjedhëse, sipas prokurorit ata në fakt nënkuptojnë që ky trup gjykues nuk është duke mbështetur drejtësinë e tyre përzgjedhëse.
Tutje, prokurori ka thënë se ZPS nuk ka kërkuar dënime alternative për të akuzuarit por se ka kërkuar vendime fajësie përmbledhëse në përputhje me elementet e materialitetit.
Të martën pritet të vazhdohet me dhënien e deklaratës përmbyllëse nga mbrojtja.
ZPS thotë se Gucati dhe Haradinaj janë kriminel
Prokurorja e ZPS-së, Valeria Bolicci gjatë dhënies së deklaratës përmbyllëse në gjykimin ndaj Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ka thënë se të njëjtit janë fajtor dhe nuk janë mbi ligjin.
“Ne megjithatë do të themi se të akuzuarit nuk janë mbi ligjin. Veprimet e tyre të përsëritura dhe të qëllimshme e kanë shkelur Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe nuk justifikohen nga dispozita të tjera penale. Të akuzuarit janë kriminel”, tha ajo.
Ajo ka thënë se është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se të akuzuarit janë fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë.
Sipas prokurores Bolicci, përmes veprimeve të tyre gjatë shtrirjes kohore të akuzave, të akuzuarit zbuluan identitetin dhe të dhënat personale të qindra dëshmitarëve të klasifikuar dhe të mbrojtur si konfidencial nga ZPS.
“I akuzuari në konferencën e ditës së parë të shtypit nuk mund të ishte me i qartë kur ka thënë se i ka ditur emrat e të gjithë dëshmitarëve të mbrojtur, dhe më pas u referoj këtyre të dhënat sekrete lidhur me këta dëshmitarë, dhe fakti që materialet përmbajnë pikërisht dëshmitë e këtyre dëshmitarëve të mbrojtur. Përveç kësaj hetuesi i ZPS tha që grupi i 3 kishte referencën ndaj 150 dëshmitarëve të ZPS, grupi një dhe dy kishin po kështu informacion të njëjtë të qindra dëshmitarëve”, tha ajo.
Siç tha prokurorja Bolicci, Gucati dhe Haradinaj nuk e kishin fshehur kërkesën e vazhdueshme ndaj shtypit që të njëjtit të publikonin këto dokumente konfidenciale sa më shumë që ishte e mundur, duke përfshirë edhe emrat e dëshmitarëve.
“Hysni Gucati e kujtoj se kishte botuar emrat e të ashtuquajturve veteranë të rremë dhe tha në të njëjtën mënyrë që emrat e dokumentacionit duheshin publikuar duke thënë që ata janë shqiptarë, 80% e atyre që kanë dhënë dëshmi ishin shqiptarë. Gjatë debatit të zjarrtë Haradinaj u tërhoqi vërejtjen gazetarëve që nuk kishin publikuar materiale konfidenciale aq sa duhet, aj tha se donte që mediat të publikonin aq sa kishin guximin ta bënin”, tha ajo, njofton betimiperdrejtesi.
Pas publikimit të dokumenteve sipas prokurores Bolicci, ZPS-së i është dashur të ndërmarrë masa të shumta sigurie për 20-30 dëshmitarë si dhe nxjerrjen e personave jashtë vendit pasi që të njëjtit ishin të frikësuar.
E me këto veprime të akuzuarve, prokurorja Bolicci tha se disa dëshmitarë ishin ç ‘inkurajuar për të bashkëpunuar me ZPS-në.
Gjithashtu prokurorja Bolicci ka thënë se përmes provave është vërtetuar se të akuzuarit kanë përdorur kërcënime të rënda për të frikësuar personat e mbrojtur ose për të dhënë deklarata të rreme për ZPS, dhe atë përmes mesazheve mediatike drejtuar të gjithë atyre që ishin duke ndërvepruar me ZPS.
Siç tha ajo, të njëjtit kishin qenë në njohuri se ishin duke i nxitur këta dëshmitarë që të mos jepnin informacione të sakta për ZPS apo të tërhiqeshin.
“Provat tregojnë që të akuzuarit jo vetëm që ju ka thënë dëshmitarëve që identiteti i tyre ishte i njohur por në të njëjtën kohë që deklaroheshin se të dhënat e tyre do të bëheshin publik. Haradinaj dhe Gucati kanë akuzuar dëshmitarët se janë spiunë, tradhtarë, kolaboracionistë, kriminel, thithës gjaku dhe folës shqiptarë. Në momente të ndryshme gjatë këtij procesi të akuzuarit janë munduar që të ulin kuptimin e fjalëve të tilla, megjithatë fuqia kërcënuese e fjalëve të tyre dhe interpretimi i kuptimit të tyre shpjegohet në shumë momente të rëndësishme nga vet të akuzuarit”, tha ajo.
Prokurorja Bolicci ka shtuar se të akuzuarit e dinin që nxjerra e emrave të dëshmitarëve do të dëmtonte dhe cenonte ata dhe pavarësisht saj ata i kanë nxjerrë këta emra dhe se sipas ZPS përfundimi i vetëm i arsyeshëm është se ata synonin që të shkaktonin pasoja të rënda për të gjitha veprimet e prodhuara.
Gjatë këtij procesi gjyqësor sipas prokurores Bolicci u bë e qartë që përmes veprimeve të tyre të akuzuarit jo vetëm që dëshironin të shkurajonin dëshmitarët që të jepnin prova për DHSK dhe ZPS por se gjithashtu dëshironin që të ndëshkonin të gjithë ata të cilët kishin bashkëpunuar dhe kishin dhënë një deklaratë për të.
“Në një postim në “Facebook” më 4 korrik 2020 Gucati përshkruan procesin gjyqësor në këtë gjykatë si një betejë në mes tradhtarëve të Kosovës, spiunëve të Serbisë që duan të bashkëpunojnë me gjykatën dhe mbështetësve të UÇK dhe ai paralajmëroj se në këtë betejë njerëzve vetë do tu përmendeshin emrat dhe do të turpëroheshin”, tha ajo
Veprimet e të akuzuarve nga 7 deri më 25 shtator 2020 sipas Boliccit, e plotësuan këtë premtim ku të akuzuarit botuan identitetet e atyre që kishin bashkëpunuar me autoritet hetuese dhe këta siç tha ajo, do të ekspozoheshin, turpëroheshin margjinalizoheshin dhe të dëmtoheshin.
Për sa i përket pengimit të procedurave penale, prokurorja Bolicci ka thënë se provat në këtë çështje janë aq të fuqishme sa që qëllimi përfundimtar që ka të bëjë me sjelljen e të akuzuarve ishte që ata kishin për qëllim të pengonin këtë institucionin të kryente detyrat e veta.
“Të akuzuarit nuk mund ta shprehnin më qartë që ata janë kundër DHSK dhe ZPS, “Kjo gjykatë është monoetnike, raciste, praktikon drejtësi selektive sepse nuk ndjek krimet serbe, mbështetet nga çdo tradhtarë dhe spiun ,i thërret dëshmitarët që janë armiq bashkëpunëtor”, dhe gjatë këtij gjykimi megjithëse ata u përpoqën ata nuk mund ta fshihnin përbuzjen për këtë institucion”, tha ajo.