Site icon PrishtinaPress

ZKM jep detaje për darkën e mbrëmshme në Slloveni ku mori pjesë edhe Kurti

Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për darkën e mbrëmshme në Slloveni të ftuar nga kryeministri slloven, Robert Golob.

“Në qytetin e bukur të Bledit, në freskinë e bjeshkëve dhe pranë pamjes magjepsëse të Liqenit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në darkën e punës të ftuar nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob për liderë të rajonit dhe presidentin e Këshillit të Evropian, Charles Michel.”

ZKM thotë se gjatë darkës u diskutua për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe sigurinë.

Kurti, aty ka theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes.

“Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes. Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do t’ju kërkohen viza për në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin.”

Kurti ka mirëpritur thirrjet e kryeministri slloven, Robert Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nënvizoi respektimin e pakicave dhe njohjen reciproke si parakusht.

“Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet. Ballkani Perëndimor duhet ta mbështesë zgjerimin dhe vendet aspirante duhet të kryejnë reformat të cilat përshpejtojnë anëtarësimin”, thuhet në komunikatën e ZKM’së.

Për këtë darkë mbrëmë ka shkruar Kurti në Tëitter, duke thënë se “respekti ndaj minoriteteve dhe njohja reciproke janë parakushte për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“Mesazhe inkurajuese nga Kryeministri i Sllovenisë Robert Golob mbi zgjerimin e BE-së dhe mundësitë për Ballkanin Perëndimor Unë i bëra jehonë thirrjes për një qasje të bazuar në vlera ndaj anëtarësimit në BE, të fokusuar në respektimin e pakicave dhe me njohjen reciproke si parakusht”, ka shkruar Kurti, të dielën.

Kreu i ekzekutivit është takuar atje edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, takimi i parë prejse ishte anuluar takimi i përbashkët në mes dy qeverive për shkak të zhvillimeve në Veriun e Kosovës.

Exit mobile version