Site icon PrishtinaPress

Zjarri në fabrikën në Parkun e Biznesit, Lladrovci njofton se ka aktivizuar shtabin emergjent

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se ka aktivizuar shtabin emergjent pas zjarrit në fabrikën e Plastikës që ndodhet në Parkun e Biznesit.

Ai ka thënë se kjo është katastrofë materiale dhe ekologjike.

Lladrovci ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe njësitet e zjarrfikësve nga Malisheva, Lipjani, Prishtina e Skënderaj.

Ai shtoi se zjarri ka përparuar shpejtë pasi ka pasur erë.

“Pas shpërthimit të zjarrit në Fabrikën e Plastikës, në Qendrën e Biznesit Drenasi I, kam aktivizuar Shtabin emergjent të komunës së Drenasit, në krye të të cilit jam unë. Kjo është katastrofë materiale dhe ekologjike, kam ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, për shuarjen e zjarrit. Falënderoj zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, inspektoratet dhe të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. Rreth objektit që po digjet janë në gatishmëri ekipet e zjarrfikësve për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në fabrikat tjera. Në përkrahje të zjarrfikësve të Drenasit, kanë arritur edhe njësitë tjera zjarrëfikëse nga Malisheva, Skenderaji, Lipjani e Prishtina dhe i falënderoj për shpejtësinë e reagimit. Zjarri ka përparuar shumë shpejtë sepse ka erë e cila po e ndihmon përhapjen e flakëve dhe lënda e parë që po digjet. Kam shprehur keqardhje për pronarët e fabrikës, për dëmet në fabrikë, pajisje, objektet, si dhe materialit riprodhues. Tymi i madh nga djegia e fabrikës ka arritur në vendbanimet e fshatrat e Drenasit, Skenderajt e deri në Mitrovicë, dhe është po ashtu katastrofë ambientale me ç’rast qytetarët kanë ankesa për ndotjen dhe dëmet që po ju shkaktohen”, ka shkruar Lladrovci.

Exit mobile version