Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Kreshnik Ahmeti ka zhvilluar sot një telefonatë me homologen e tij ukrainase, Emine Dzhaparova.
Në këtë bisedë Ahmeti tha se e njoftoi Dzhaparovan për rreshtimin e Kosovës në përkrahje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Ai përmendi sanksionet të cilat Kosova tashmë i ka vendosur dhe gatishmërinë për t’i shtuar ato në koordinim me ShBA-të, BE-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtare. Gjithashtu, Ahmeti tha se e ka përmendur edhe ndihmën që Kosova po e ofron në këtë situatë duke strehuar 20 gazetarë, duke larguar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas dhe duke treguar gatishmëri për strehimin e 5000 refugjatëve.
Siç shkruan Ahmeti, ajo e falënderoi Kosovën për mbështetjen dhe për rreshtimin e menjëhershëm në anën e Ukrainës.
“Znj. Dzhaparova falenderoi Republikën e Kosovës për mbështetjen dhe për rreshtimin e menjëhershëm në anën e Ukrainës. Nga Ukraina ajo më njoftoi për situatën e rëndë humanitare të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse dhe për rezistencën e fortë që po e bëjnë ukrainasit. Kriza humanitare e shkaktuar nga Federata Ruse, veçanërisht në qytete si Mariupol ku qytetarët po mbahen peng nga rrethimi rus, po thellohet çdo ditë e më shumë”, ka shkruar ai.
Zëvendësministri Ahmeti tha se ndër të tjerash, ia ka përcjellur ngushëllimet e Qeverisë së Kosovës për viktimat e agresionit rus dhe të dy u pajtuan që t’i vazhdojnë komunikimet e rregullta për bashkëpunim të mëtutjeshëm.