Home Baner Zhvillimet në Bruksel, Hilli takohet me Vuçiqin

Zhvillimet në Bruksel, Hilli takohet me Vuçiqin

Pas zhvillimeve të djeshme në Bruksel, ku palët nuk arritën të gjejnë një marrëveshje, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë afatin e gjobitjes për targat ilegale për 48 orë, gjë të cilën kryeministri i Kosovës e ka pranuar.

Ndërkaq sot, ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christofer Hill, do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Sipas njoftimit nga zyra e presidentit serb, takimi pritet të fillojë në ora 10:30, në Pallatin e Serbisë.

Para takimit me ambasadorin amerikan, Vuçiq do të ketë takime edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani dhe Ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto.

Më pas ministrat italianë pritet të udhëtojnë në Kosovë ku do të priten nga zyrtarë të lartë shtetëror.

Po sot, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka kërkuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova që të ruajnë paqen dhe stabilitetin.

Vuçiq u takua me përfaqësuesit serbë mëngjesin e 22 nëntorit, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shtyu zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat ilegale serbe për 48 orë.

“Jam i sigurt se si komb do të tregojmë pjekuri dhe se do të ruajmë vatrat tona”, ka thënë Vuçiq në një video të publikuar në profilin e tij në Instagram./Prishtinapress/

Exit mobile version