Site icon PrishtinaPress

Zhvillimet e fundit për liberalizimin e vizave, vjen reagimi i Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pasi që vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën më 1 nëntor 2023.

Ajo në një postim në Twitter ka thënë se nuk ka asnjë arsye që të mos i hiqen menjëherë vizat qytetarëve të Kosovës.

“Pra, pse vetëm në nëntor 2023? Nuk ka arsye që të mos i hiqen menjëherë vizat qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar von Cramon.

Vendet anëtare të BE-së në takimin e sotëm të grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për heqjen e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Pas diskutimeve të së enjtes burimet në BE thonë se të gjitha vendet janë të interesuara që të mos ketë vonesa në miratimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Këto burime besojnë se kompromisi për të cilin kanë rënë dakord në takimin e së enjtes, do të mundësojë që vendimi të miratohet sa më shpejt, megjithëse hyrja e tij në fuqi do të caktohej për datën 1 nëntor të vitit 2023.

Kjo do të thotë se qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtonin në vendet e BE-ë dhe vendet tjera të zonës Schengen nga nëntori i vitit që vjen.

Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë, por disa udhëheqës individualë të bllokut kanë shprehur vazhdimisht rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Nga Republika Çeke, e cila mban Presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre.

Exit mobile version