Ministria e Kulturës ka njoftuar sot se procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar
Teatri Kombëtar i Kosovës ka tashmë dy vjet pa drejtor të përgjithshëm. Ish-drejtori TKK-së, Agim Sopi, e kishte përfunduar mandatin më 18 janar të vitit 2020.
E megjithatë, konkursi për drejtorin e ri nuk ishte hapur deri më 27 dhjetor të po atij viti dhe kishte mbetur i hapur deri më 10 janar 2021. Drejtori i ri, Naser Shatrolli, ishte emëruar vetëm në mars për t’u larguar më 12 maj 2021, pas ankesës së kundërkandidatit Blerim Krasniqi. Kandidat tjetër ishte edhe Kushtrim Sheremeti, i cili kishte bërë edhe akuza për ndërhyrje politike në proces. Prej 13 deri më 27 nëntor 2021 u hap konkursi i radhës. Ndërsa i fundit prej 8 deri më 22 janar 2022.
Së fundmi, në media është raportuar se drejtori i ri i TKK-së është zgjedhur kandidati Kushtrim Sheremti.
Ndaj këtij lajmi ka reaguar Haki Abazi, deputet nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje:
“Distancohem publikisht nga përzgjedhja e Kushtrim Shermetit si drejtor i Teatrit Kombëtar. 20 vite zhvatje e degradim të vlerave nuk kanë ndodhur vetëvetiu. Kishte edhe krijues edhe zbatues të axhendës por edhe përfitues…”.
Mirëpo, Ministria e Kulturës sot, përmes një komunikate ka njoftuar se procesi i përzgjedhjes së drejtorit të TKK-së ende nuk ka marrë fund.
“Procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar. Këshilli Drejtues i TKK ka përfunduar vlerësimin e kandidatëve pas intervistimit (me shkrim dhe me gojë).
Ministria e Kulturës do t’i ndjekë afatet ligjore për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm, përfshirë afatin e ankesave, në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të TKK”.
MKRS-ja po ashtu është duke kërkuar edhe udhëheqës artistik për TKK-në, pasi që ky institucion është pa udhëheqës artistik që nga qershori i vitit 2019.