Gara me kohën për të shpëtuar 5 pasagjerët e ‘Titan’, të raportuar të zhdukur që nga e diela ka përfunduar së bashku me oksigjenin brenda nëndetëses që parashikohej të zgjaste deri në orën 14:00 të mesditës së sotme.
Por gjurmimi i nëndetëses që humbi komunikimin me anijen mëmë në sipërfaqe teksa zbriste drejt rrënojave të Titanikut në brigjet e Kanadasë vijon ende.
Operacionet e kërkimit u intensifikuan pasi zhurmat nga shtrati i detit u kapën të martën dhe sërish dje, por askush nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur me mini-nëndetësen OceanGate Expedition, e cila u përpoq t’i afrohej rrënojave të Titanikut, e vendosur në 3800 metra thellësi, në një pjesë të largët të Oqeanit Atlantik, në brigjet e Amerikës së Veriut.
Kontakti me ‘Titanin’ humbi një orë e 45 minuta pas zhytjes, por ndërkohë zona e kërkimit është zgjeruar në një sipërfaqe ekuivalente në sipërfaqe me rreth 26,000 km katrorë dhe në thellësi zbret deri në 2,5 milje, rreth 4,000 metra.
Zona e kërkimit do të mbulonte një zonë dy herë më të madhe se Konektikati dhe një zonë 2.5 milje të thellë nën tokë, sipas BBC.
Sky News raportoi se të paktën pesë varka janë aktualisht në vendin e fundosjes së Titanikut , me katër të tjera rrugës për atje. Në vendngjarje ndodhet anija Princi Polar, që është edhe anija mëmë e nëndetëses Titan.
Një anije bahamiane për vendosjen e tubave, Deep Energy ndodhet po aty, së bashku me anijen tregtare, Skandi Vinland.
Anijet e rojës bregdetare kanadeze John Cabot dhe Atlantic Merlin mbërritën po ashtu gjatë natës.
Katër anije të tjera, duke përfshirë dy anije të Rojës Bregdetare Kanadeze, një anije të Marinës Kanadeze dhe një anije private mbështetëse në det, pritet të mbërrijnë më vonë gjatë ditës së sotme.
Por shpresat e vërteta vareshin te Franca me institutin “Ifremer”, që nisi anijen e tij “Atalante” , e cila është e pajisur me një robot nënujor të aftë për të zbritur në thellësi të mëdha. Kjo u bë e ditur nga qeveria transalpine.
Në bordin e Titan ndodhet miliarderi i apasionuar pas ekspeditave të pamundura, Hamish Harding, piloti i nëndetëses Paul-Henri Nargeolet, biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood, djali i tij Sulmena, si dhe CEO dhe themeluesi i Ocean Gate, Stockton Rush. /a2news/