Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një grua në Ferizaj, e cili ka raportuar se vajza e saj 17-vjeçare ka dalë nga shtëpia dje dhe nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e saj.
Sinjali mëson se e njëjta ka deklaruar para Policisë se e mitura është larguar nga shtëpia disa herë edhe në të kaluarën.
Përballë kësaj situate, familja vendosi që ta njoftojë Policinë.
Denoncimi i nënës ka aktivizuar njësitet policore, me ç’rast është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet për gjetjen e vajzës dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.