Është zhbllokuar rruga Prizren-Prevallë e cila ishte bllokuar pasi rrëshqitjeve të materialit erodues nga masivi shkëmbor në pjesën e sipërme të saj.
Për zhbllokimin e kësaj rruge ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës, ku kanë theksuar se trafiku mund të zhvillohet sikurse më parë.
“Ju informojmë se në rrugën Prizren – Prevallë, në kilometrin e gjashtë ku pati rrëshqitje të materialit erodues nga masivi shkëmbor në pjesën e sipërme të saj, dhe për pasojë bllokimin e kësaj rruge që nga mbrëmë pas orës 18.00 e deri me tani është bërë zhbllokimi i këtij aksi rrugor dhe trafiku mund te zhvillohet sikurse më parë”, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Ministria ka bërë thirrje tek ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar kur lëvizin në këtë terren.
“Bazuar në konfiguracionin e terrenit ku shtrihet kjo rrugë, bëjmë thirrje tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar në të gjithë gjatësinë e saj, pra nga Prizreni deri në Prevallë. Kujdes duhet të bëhet nga ndonjë ramje eventuale e gurëve”, nënvizohet në komunikatën e ministrisë.