Një grua 49-vjeçare tajlandeze e cila ishte shpallur gabimisht e vdekur, “u zgjua” disa momente para funeralit të saj. Chataporn Sriphona i habiti dhe i frikësoi të gjithë të pranishmit, gjatë transportit për në tempullin budist ku do t’i jepej lamtumira e fundit.
Në orët e mëparshme, gruaja, e trajtuar për kancer në mëlçi, ishte shpallur e vdekur nga mjekët, pasi kishin vënë re se ajo nuk merrte më frymë. Një vendim ky që rezultoi i gabuar.
Siç raportohet nga faqja e lajmeve tajlandeze, Khao Sod, kur gjendja e Chataporn u përkeqësua, familja u dha urdhër punonjësve shëndetësorë që ta sillnin në shtëpi. Megjithatë, mjekët e kuptuan se ajo nuk po merrte më frymë dhe e shpallën të vdekur, duke thirrur nënën e saj të moshuar.
Dhe kështu të afërmit filluan të organizojnë funeralin në tempullin lokal Wat Sri Phadung Pattana, duke ofruar gjithashtu të gjithë informacionin se si të përgatitej arkivoli, ku trupi duhej të ishte mbajtur një natë para djegies.
Rrugës për në tempull, Chataporn u zgjua papritur. Gruaja tani është shtruar në spital në gjendje të rëndë, por anëtarët e familjes thanë se ishin të lehtësuar që ajo të paktën ishte në gjendje të shihte përsëri të dashurit e saj.