Fisnik Osmani, një asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Komunale “Termokos”. Procesi rekrutues është mbikëqyrur nga Ambasada Britanike.
Lajmi u bë i ditur nga Termokosi përmes faqes zyrtare, më 9 shtator. Në garën e ngushtë për këtë pozitë ishin tre kandidatë. Këshilltari komunal u zgjodh i pari.
Sipas bordit të përkohshëm të drejtorëve të ndërmarrjes publike, Osmani u vlerësua me më së shumti pikë, duke lënë pas dy kandidatët e tjerë, Skender Xanin dhe Artan Shabani, në vendin e dytë, respektivisht të tretit.
Gjithsej për këtë pozitë kishin aplikuar 12 persona. Vetëm tre ishin në rrethin e ngushtë të vlerësimit.
Osmani, në rezultatin final të poentimit të kandidatëve i mori 36.75 pikë, duke u zgjedhur kryeshef i “Termokosit”. Pjesë e procesit rekrutues ishte edhe Ambasada Britanike në Kosovë.
“Pas realizimit të procedurave të përzgjedhjes (vlerësimit të dokumentacionit dhe intervistimit/poentimit), bazuar në vlerësimin e realizuar veçmas dhe të pavarur si nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, ashtu edhe nga ekipi i Ambasadës Britanike, kandidati Fisnik Osmani ka arritur rezultatin më të mirë poentues nga të gjithë kandidatët”, thuhet në komunikatën e Termokosit./Prishtinapress/