Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, përmes një letre ka njoftuar Komisionin Zgjedhor të Serbisë për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që mos të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë më 17 dhjetor pa marrëveshje ndër-shtetërore.
“Për shkak të kushtëzimit të papranueshëm të Prishtinës dhe Albin Kurtit për Beogradin, nuk është e mundur të bëhet votimi në zgjedhjet për deputetë të planifikuar për datën 17 dhjetor në Kosovë”, ka njoftuar Petkoviç, raporon mediumi serb Kossev.
Sipas tij, kryeministri Kurti, ka kushtëzuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Po ashtu Petkoviç akuzoi Kurtin se ka refuzuar të sigurojë kushtet e nevojshme për funksionimin e misionit të OSBE-së në terren, që sipas tij, është plotësisht në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Në bazë të atij modeli, të gjitha zgjedhjet e Republikës së Serbisë në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2020 janë mbajtur në territorin e Kosovës”, shtoi ai.
Për zgjedhjet Petkoviç ka biseduar edhe përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës në Rashkë të Serbisë të mërkurën.
“Kjo cenon drejtpërdrejt të gjitha të drejtat e garantuara të serbëve. Në këtë drejtim, në takim u diskutuan hapat e mëtutjeshëm për t’u mundësuar serbëve të Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre qytetare për të votuar më 17 dhjetor 2023”, tha Petkoviç para të pranishmëve.