Zgjedhjet lokale për kryetar të komunave në veri të vendit të cilat u shtyen një herë në dhjetor, janë caktuar të mbahen më 23 Prill të këtij viti.
Mospjesmarrjen në këto zgjedhje e ka bërë Lista Serbe, që është pjesë e Kuvendit.
Ata kanë thënë se ky qëndrim do të jetë derisa t’i përmbushen dy kërkesa, që janë, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.
Së fundi në këtë pjesë të Kosovës, u shënuar disa incidente, ku u dogjën një numër veturash me targa RKS, veprime këto të bëra nga serbët.
Kjo situatë ka ngjallur edhe reagime se mbajtja e zgjedhjeve në veri mund të sjellë tensione.
Rreth kësaj gjendje është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai thotë se institucionet do ta kryejnë punën e tyre, dhe se askush nuk mund të cenojë të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar procesin zgjedhor.
“Pluralizmi politik dhe mbi të gjitha e drejta e votimit lirshëm e papengesa të komunitetit serb janë të domosdoshme. Kushdo që vijon ta cenojë këtë të drejtë themelore nuk ka çfarë të pres tjetër përveçse përgjigjen e institucioneve tona me forcën e ligjit”, tha Kurti.
BE-ja për Front Online: Zgjedhjet në veri duhet të jenë paqësore
Për këtë çështje, Front Online ka kërkuar përgjigje edhe nga Bashkimi Evropian.
Ata thonë se zgjedhjet duhet të jetë paqësore e demokratike, dhe se votimi të jetë i lirë dhe sipas standarteve ndërkombëtare.
“Nuk i takon BE-së t’u thotë partnerëve se kur duhet të organizojnë zgjedhjet, por duke qenë se është një pjesë shumë e rëndësishme e procesit demokratik në çdo shoqëri, duhet të jenë të përshtatshme kushtet për të siguruar kushte të drejta që votimi të jetë i lirë dhe i drejtë sipas standardeve të vendosura ndërkombëtare. Është thelbësore të sigurohet që zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore”, thotë në përgjigje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Ndërkaq për qëdnrimin e Listës Serbë që të mos marr pjesë në zgjedhje, Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje, pasi që kjo parti nuk e ka shfrytëzuar të drejtën demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës.
“BE-së i vjen keq që Lista Srpska nuk e shfrytëzoi të drejtën e saj demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme”, tha Stano në një përgjigje për Front Online.
KQZ-ja e gatshme për zgjedhjet në veri
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka filluar përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve nga 9 marsi.
Në një përgjigje për Front Online, thonë se i kanë mbetur edhe pak çështje për t’i përfunduar.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 9 marsi ka filluar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve për kryetar në katër komunat dhe në dy prej tyre edhe për kuvendet komunale. Deri më tani, sipas planifikimeve me planin operacional, një numër i madh i punëve janë kryer. Në këtë drejtim është edhe përmbyllja e procesit të certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve”, tha ai për Front Online.
Në mbledhjen e kaluar, KQZ-ja ka arritur në një fazë tjetër, pasi ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve në këto komuna, e cila përmban rreth 45 mijë e 100 votues.
“Në mbledhjen e radhës do të vazhdojmë me vendimin tjetër që ka të bëjë me saktësimin e numrit të fletëvotimeve që do të shtypen për këtë proces zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së për Front Online.
Ndërkohë, “Demokracia në Veprim” përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rrethanat aktuale nuk mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira në katër komunat veriore.
Sipas tyre mund të jetë një mungesë e theksuar e interesimit të qytetarëve të komunitetit serb për të marrë pjesë në zgjedhje.
Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës priten të mbahen me 23 prill ndërkohë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë aplikuar disa parti e kandidat nga partitë politike.
Në Mitrovicën e veriut janë tre kandidatë, Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, PDK garon me Taulant Kelmendin si dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në Leposaviq janë tre kandidat PDK garon me Albulena Behluli – Hetemi, Alekandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovë dhe Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në Zveçan janë gjithashtu tre kandidat, Ilir Peci nga PDK, Sllagjana Pantoviq – Kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.