8.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Zgjedhjet lokale, PDK synon fitore në Prishtinë, VV e sigurt që do të qeverisë sërish

Viti 2017 do të jetë vit i zgjedhjeve lokale që do të mbahen gjithandej në komunat e Kosovës. Garë e nxehtë pritet të zhvillohet sidomos në komunën e Prishtinës, e cila tash është nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndonëse po afrohet afati për mbajtjen e zgjedhjeve dhe sjelljen e ndryshimeve nëpër komuna, partitë politike siç duket ende nuk kanë vendosur se kush do të jenë kandidatët e tyre që do të garojnë për të parin e Prishtinës.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se kryetari i tanishëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë mandatit të tij, ka dhënë një model të qeverisjes që është model i qeverisjes në shërbim të qytetarit, e jo i angazhimit për interesa personale a klanore.

“Sa i përket kandidaturave, në secilën komunë kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje zgjidhën nga anëtarësia e komunës përkatëse. Pra, pasi që të hapet afati dhe shpallen kandidaturat, anëtarësia voton dhe vendos se kush do të jetë kandidat për kryetar të asaj komune nga ne, e kjo ndodh edhe nëse është veç një kandidat, duke u votuar për/kundër/abstenim. Në lidhje me zotin Ahmeti, mund ta them lirisht jo vetëm si mendim personal, por edhe nga ajo që shohim në terren, ka një nivel të lartë të kënaqshmërisë me punën e tij”, ka thënë për Telegrafin, Shkodran Hoti nga zyra për media e VV-së.

Ai më tej ka theksuar se Shpend Ahmeti është i gatshëm të pranojë çdo angazhim që i kërkon partia.

“Shumicën e premtimeve të dhëna i ka përmbushur ende pa përfunduar plotësisht mandati, me gjithë pengimet nga dy partitë që janë në koalicion në nivel qendror, dhe në një koalicion joformal për ta penguar zhvillimin edhe në asamblenë komunale të Prishtinës. Pra, Shpendi përfaqëson modelin tipik të një kryetari siç e parashohim ne si organizatë, dhe ai është i gatshëm të merr mbi supe çdo angazhim që ia kërkon organizata”, tha Hoti.

Hoti ka shprehur bindjen se Vetëvendosje do të dalë sërish fituese në zgjedhjet lokale, dhe se do të qeverisë sërish me Prishtinën, e kjo sipas tij vjen si rezultat i rritjes së madhe të Vetëvendosjes.

“Jemi më të fuqishëm si kurrë me parë, po fuqizohemi vazhdimisht dhe besoj se do të dalim fitues”, u shpreh Hoti.

E garë e fortë pritet të zhvillohet edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila i ka vënë vetës si synim që ka ardhur koha që ajo të qeverisë me Prishtinën.

Kështu është shprehur për Telegrafin, kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj.

Ndonëse nuk e ka konfirmuar zyrtarisht mundësinë e kandidimit të tij për kryetar të Prishtinës, ai ka thënë se dega e PDK-së ka shprehur përkrahjen ndaj tij.

“Përveç që dega ka shpreh përkrahjen ndaj meje, niveli qendror i PDK-së ende nuk ka ardhur në atë fazë se kush do të kandidojë. Megjithatë si kryetar dege po punoj në fuqizimin e PDK-së në Prishtinë dhe besoj që sivjet Prishtina do të jetë e PDK-së”, ka thënë Çelaj.

Ai është shprehur plotësisht i bindur se PDK-ja do të fitojë Prishtinën.

“Po absolutisht, pasi që Prishtina i provoj dy subjekte dhe qeverisjen e tyre e cila u pa se është e dështuar besoj që më në fund janë bind se PDK është ajo që do ta zhvillojë Prishtinën”, u shpreh Çelaj.

E për dallim nga PDK, në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk shprehen aq të vendosur se do të mund ta rikthejnë sërish qeverisjen në Prishtinë të cilën e patën dikur.

Asamblesiti i LDK-së në Komunën e Prishtinës, Flamur Shala nuk ka konfirmuar se kush do të jetë kandidat për Prishtinë.

“Zgjedhjet e sivjetme lokale do te mbahen, besojmë, sipas afateve ligjore. LDK në Prishtinë është aktive në përmbushjen e objektivave të saj politike me opozitarizëm konstruktív ndaj qeverisjes aktuale! Besojmë në organet e LDK-së dhe në një proces demokratik që partia të arrijë shkallë të lartë të mobilizimit politik e zgjedhor me kandidat të denjë edhe për Prishtinën. Besojmë në elektoratin e LDK-së në Prishtinë”, tha Shala për Telegrafin.

Ndërsa, kryetari i degës së AAK-së për Prishtinën, Avni Arifi ka thënë se AAK-ja ende nuk është përcaktuar se kush do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës.

“AAK ende nuk është përcaktuar për kandidat”, ka thënë shkurt Arifi për Telegrafin, duke shtuar se pritshmëritë e subjektit të tij janë të mira sa i përket rezultatit të zgjedhjeve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img