1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Zgjedhjet lokale në Shqipëri: Partitë dorëzojnë listat e kandidatëve në KQZ

Partitë politike në Shqipëri kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat me emrat e kandidatëve për kryetar të bashkive dhe anëtarë të këshillave bashkiakë për zgjedhjet e 14 majit.

Derisa partia në pushtet – Partia Socialiste (PS) – i publikoi emrat pas mbledhjes së Kryesisë mbrëmjen e 25 marsit, për Partinë Demokratike (PD) është ende e paqartë se me sa kandidatë shkon në zgjedhjet për kryetarë të 61 bashkive.

PS-ja ka vendosur të rikandidojë 44 bashkiakë aktualë. Tirana, Durrësi, Korça, Fieri, Berati janë disa nga bashkitë që Kryesia e PS-së vendosi tu besojë të njëjtëve emra.

Kështu, Erion Veliaj do të kërkojë mandatin e tretë në krye të Tiranës, Emirjona Sako mandatin e dytë në Durrës, Sotiraq Filo në Korçë, Armando Subashi në Fier, dhe Ervin Demo në Berat. Ndryshimi i madh ndodhi në Vlorë, ku prej disa kohësh kryeministri Edi Rama ka pasur përplasje me kryebashkiakun Dritan Leli. Për pasuesin e tij u zhvillua një votim në asamblenë e degës së Vlorës, ku garën me ish-deputetin, Fate Velaj e fitoi ish-diplomati Ermal Dredha. Ndërsa në Shkodër, PS-ja kërkon të marrë bastionin e PD-së me deputetin Benet Beci, i cili ka dorëzuar tashmë mandatin e deputetit.

Por, PD-ja ende nuk e ka bërë publik numrin e saktë të kandidatëve për bashkitë në të cilat do të garojë. Pas disa ditë diskutimesh dhe negociatash, ushtrues i detyrës së kryetarit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, nuk ishte në gjendje të konfirmonte numrin e kandidatëve të kësaj force politike

“Kam dorëzuar listën me rreth 20 kandidatë, por numrin e saktë e mësoni nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha ai. Pas kësaj deklarate pati disa njoftime se kandidatët e Partisë Demokratike në të paktën 5 bashki janë tërhequr.

Dështimin për të dalë me 61 kandidatë, Alibeaj ia faturoi kryeministrit Rama dhe ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

“Manovrat e Ramës për stërzgjatjen e procesit gjyqësor për vulën dhe logon e PD-së, dhe përpjekjet e Berishës për të mbajtur peng selinë e partisë dhe disa prej demokratëve, e kanë sjellë partinë në këtë situatë, aspak të favorshme para zgjedhjeve të 14 majit”, tha ai.

Më 3 mars, Gjykata e Apelit në Shqipëri vendosi që ta rrëzojë vendimin e Gjykatës së shkallës së parë Tiranë, që i dha të drejtë Sali Berishës të marrë drejtimin e Partisë Demokatike (PD), si dhe vendosi që çështja të kthehet në rigjykim.

Në anën tjetër, grupimi i Berishës ka bërë aleancë me Partinë e Lirisë të Ilir Metës dhe disa parti të tjera të vogla, dhe kanë dorëzuar listën me 61 kandidatët e tyre.

Pjesa më e madhe janë përfaqësues të Partisë Demokratike, që do t’u duhet të garojnë nën llogon e një partie të majtë, pra partisë së Metës, pasi KQZ e njeh zyrtarisht Partinë Demokratike e drejtuar nga Alibeaj. Sipas marrëveshjes së arritur mes Berishës dhe Metës si drejtues të koalicionit “Bashkë fitojmë!” anëtarët e këshillave bashkiakë do të ndahen sipas përqindjes që secila forcë politike ka marrë në zgjedhjet e vitit 2015 në secilën prej bashkive.

Deri tani për kryeqytetin janë në garë 3 kandidatë: Erion Veliaj i PS-së, Belind Këlliçi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Roland Bejko nga PD-ja, raporton REL.

Pak ditë më parë Ambasada amerikane apeloi që partitë politike të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve dhe të zhvillojnë aktivitetet zgjedhore në përputhje me ligjin.

Aktualisht thuajse të gjitha bashkitë e vendit drejtohen nga Partia Socialiste, për shkak se opozita i bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Procesi i 14 majit shënon zgjedhjet e nënta lokale që do të mbahen në Shqipëri, prej rënies së komunizmit, pa përfshirë këtu zgjedhjet e pjesshme lokale./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img