Site icon PrishtinaPress

Zgjedhjet i “hëngrën” 10 milionë euro

Mbi 10 milionë euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës organizimi i dy palë zgjedhjeve brenda një vit, ku për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës janë shpenzuar 4 milionë euro.

Këtë për KosovaPress e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se kostoja e zgjedhjeve lokale ka qenë më e lartë sesa për zgjedhjet parlamentare për shkak të balotazhit.

E balotazh ka pasur në 19 komuna dhe se për të ditur saktë koston e zgjedhjeve lokale duhet të pritet deri në përfundim të raportit.

Ndërsa, organizatat që merren me monitorimin e zgjedhjeve thonë se mbajtja e dy palë zgjedhjeve brenda një viti e dëmton buxhetin edhe ashtu të varfër të Kosovës.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se vendi është përballur me zgjedhje që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe se kjo ka një kosto shumë të lartë për buxhetin e Kosovës.

Sipas tij pavarësisht kësaj në pushtet mund të vijnë politikanë dhe udhëheqës të komunave të cilët janë të papërgjegjshëm dhe shkaktojnë miliona euro buxhetit të shtetit për shkak të shpenzimeve të tyre jo racionale dhe sipas tij kostoja e zgjedhjeve do të ishte shumë jo relevante në raport me ato shpenzime të cilat i bëjnë.

Ndërsa, ai ka një vërejtje edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sa i përket shpenzimeve për edukimin e votuesve.

Nga organizata Çohu, Genc Nimoni, ka thënë se dy palë zgjedhje brenda një viti janë një kosto e madhe për buxhetin e Kosovës.

E mbajtja e dy palë zgjedhjeve përveç kostos financiare ka qenë sfiduese edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se pavarësisht asaj që kanë pasur dy palë zgjedhje brenda një vitit kanë arritur që të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese.

Kosova ka shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë mbajtur me 11 qershor, ndërsa me 22 tetor është mbajtur raundi i parë i zgjedhjeve lokale për kryetar të komunave. Zgjedhjet për raund të dytë janë mbajtur më  19 nëntor, ndërsa rivotimi në Istog është mbajtur me 17 dhjetor.

 

Exit mobile version