Një nga kritikat e ashpra, që vazhdimisht i janë adresuar Kosovës nga BE-ja, edhe në raportet e Progresit gjatë viteve të kaluara, e që vazhdon të mbetet aktive edhe në mandatin aktual, është ngecja e politikës dhe institucioneve në realizimin e mirëfilltë të një reforme zgjedhore, për të pasur zgjedhje të besueshme, kredibile dhe me sa më pak mundësi manipulimi.
Sipas deputetit të AAK-së, AliBerisha, i cili edhe është sekretar organizativ në AAK, është shumë e pritshme që Kosova të shkojë shpejt në zgjedhje të reja, pa paragjykuar kohën, por një gjë e keqe është se ato do të mbahen me Ligjin e vjetër zgjedhor, ngase për reformën zgjedhore tani nuk është askush i interesuar. Sipas tij, edhe po të ngrihej si temë, është e sigurt që nuk premton koha për ta përfunduar atë. “Unë nuk besoj që do të ketë kohë për të iniciuar dhe vazhduar përfundimin e reformës zgjedhore. Dihet mirëfilli që po kalojnë muaj e vite që reforma ka mbetur mbrapa, për fajin e partive politike në pushtet, që nuk kanë pasur vullnet ta përfundojnë atë, prandaj edhe tani kjo përbërje e partive politike, por edhe e kësaj strukture institucionale nuk mendoj që do të arrijë ta bëjë reformën zgjedhore, prandaj edhe në këto zgjedhje të reja, që presim të ndodhin shpejt, me siguri që do të shkohet si në të kaluarën me ligjet e vjetra. Kjo situatë mbetet kështu, duke pasur për bazë dhe duke parë vetë konstelacionin e forcave politike”, u shpreh deputeti Berisha. Ai shtoi se tani është e domosdoshme që të ndodhin zgjedhjet sa më shpejt, aq me mirë sepse, sipas tij, po shihet që gjithçka po degradon në funksionimin e institucioneve, dhe nuk janë vetëm këto dy marrëveshjet e dëmshme që e kanë bllokuar jetën, por po shihet që ka ngecje dhe bllokadë totale të zhvillimit në çdo sektor të rëndësishëm zhvillimor për interesin e vendit dhe perspektivën e qytetarit. “Gjithçka është më keq sesa që ka qenë, prandaj duhet të ndërpritet ky trend i ngecjes nëpërmes një procesi të ri zgjedhor, për institucione të reja dhe për një shkollë të re të qeverisjes së vendit”, u shpreh deputeti Ali Berisha për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se sado që Kosova ka nevojë për reformë të mirëfilltë zgjedhor, edhe me këtë ligj të vjetër, nëse do të funksionojnë si duhet të gjitha hallkat e sundimit dhe zbatimit të ligjit, Kosova mund të organizojë zgjedhje të drejta, kredibile dhe të pamanipulueshme. “Duhet të angazhohen të gjithë dhe besoj që mund të kemi zgjedhje të mira edhe me legjislacionin e vjetër”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”