Zgjedhjet po mbahen në veri, por pavarësisht thirrjeve të institucioneve të Kosovës për ta shfrytëzuar të drejtën e votimit, serbët që përbëjnë shumicën e popullatës në atë pjesë të vendit, duket se kanë vendosur ta dëgjojnë Beogradin duke mos marrë pjesë në votim.
Në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave.
Që në mëngjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se sipas planit ishte bërë shpërndarja e materialit zgjedhor “në bashkëpunim dhe me përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Qendrat e votimit u hapën, por që në fillim u vërejt interesimi tepër i ulët i qytetarëve për të votuar. Vetëm dhjetëra votues në veri i janë përgjigjur thirrjes së institucioneve të Kosovës për të votuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 15:00, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote.
Në Mitrovicën e Veriut kanë votuar 597 votues apo 3.3%; në Zveçan ka pasur 145 votues apo 2.07%, në Leposaviq 110 votues (0.83%) dhe në Zubin Potok kanë votuar 240 persona (3.6%).
Gatishmëria e Policisë dhe Prokurorit të Shtetit
Policia e Kosovës ishte bërë planifikimet e saj operacionale për këtë ditë dhe tha se po ndërmerr të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për të ofruar siguri për mbarëvarjejen e zgjedhjeve.
“Zbatimi i planit operativ është duke u realizuar konform fazave të parapara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë procesit të votimit sot, siç e quajmë në ditën (z), ku janë angazhuar zyrtarë policorë në numër të mjaftueshëm”, njoftoi Policia.
Policia i ka inkurajuar qytetarët për bashkëpunim dhe të raportojnë çdo rast.
Ndërsa Prokurori i Shtetit po e mbikëqyr po ashtu këtë proces zgjedhor.
“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyr për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”, njoftoi Prokurori i Shtetit.
Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar edhe gjyqtarët kujdestarë të cilët u tha se “janë në gatishmëri për çdo eventualitet”.
Sveçla: S’vërehet ndonjë tendencë për eskalim, zgjedhjet do të prodhojnë qeverisje shembullore
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u lajmërua nga Mitrovica. Në një lidhje direkte për televizionin publik ai tha se nuk ka incidente dhe se presin që dita të përfundojë e qetë.
“Unë sot jam në Mitrovicë dhe po e përcjellim situatën sa i takon çështjeve të sigurisë. Situata është stabile, e qetë. Nuk kemi incidente dhe presim që dita të përfundojë e qetë”, tha Sveçla. Ai theksoi se “sot nuk vërehet ndonjë tendencë për eskalim të situatës”.
Sveçla tha se ditët e fundit qytetarëve serbë u është bërë “presion i hatashëm që të mos dalin në zgjedhje”.
Ministri tha se “këto zgjedhje janë më ndryshe për shumë arsye”, edhe sa i takon aspektit të sigurisë. Ai tha se ditët e fundit qytetarëve serbë u është bërë “presion i hatashëm që të mos dalin në zgjedhje”, ndërsa shtoi se presin që të rritet numri i qytetarëve që do ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.
Por pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, Sveçla tha se zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore do të prodhojë “qeverisje shembullore”.
“Do të jetë një administrim apo qeverisje shembullore e këtyre kandidatëve të cilët do ta kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës dhe gjithë këtë bojkot do ta bëjnë të paqëndrueshëm”, tha ai.
Për të oftuar siguri, Sveçla tha se “Policia e Kosovës kurrë s’ka qenë më e përgatitur”.
Kryeziu: Këto zgjedhje s’kanë legjitimitet
Ismet Kryeziu nga rrjeti i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” tha se rrethanat në të cilat po zhvillohet procesi i sotëm zgjedhor nuk garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta.
“Mendoj që Demokracia në Veprim në fillim të këtij procesi ka deklaruar se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat në të cilat jemi duke vepruar. Nuk janë rrethana që garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta, nuk plotësojnë standardet e zgjedhjeve. Dhe sot në këtë proces duke parë refuzimin e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe numrin e vogël që s’mund të kalojë as gishtërinjtë e dorës, mendoj që ky proces është më tepër improvizim i procesit zgjedhor sesa një proces që garanton standardet e zgjedheve të drejta dhe të lira ku përfshihen komunitete”, ka thënë ai për televizionin publik.
Përveç “legjitimitetit juridik”, Kryeziu tha se “ky proces nuk ka as legjitimitet politik”.
“Mendoj që nuk i plotëson standardet ky proces për t’u quajtur proces zgjedhor i ndershëm dhe për të garantuar standardet dhe idenë pse po mbahen zgjedhjet”, tha ai.
Bërnabiq sulmon Perëndimin, Vuçiq i kënaqur me mospjesëmarrjen e serbëve
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka publikuar fotografi të kontejnerëve që po shërbejnë si qendra votimi, duke e shprehur në anglisht indinjatën e saj për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.
“Mbane mend këtë ditë. Kjo është dita kur geto e fundit evropiane legalizohet dhe legjitimohet. Këto janë fotot që me të vërtetë përshkruajnë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike” në Kosovë dhe Metohi të mbështetura nga BE-ja dhe Kuinti. ¼”, shkroi ajo në Twitter.
Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se pjesëmarrja e ulët e serbëve tregon se ata “nuk do t’i shërbejnë interesave të të tjerëve”.
Vuçiq e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “gauleiter”, term ky që përdorej për ta përshkruar një udhëheqës të lartë në Gjermaninë naziste.
“Sot po mbahen zgjedhjet për gauleiterin okupator në veri të Kosovës, ku synojnë të vendosin një qeveri me dy përqind. Ata kërkuan pëlqimin tonë për të gjitha këto. Me krenari mund të them se deri më tani kanë dalë vetëm pak serbë në të katër komunat së bashku. Serbët nuk do ta dëgjojnë askënd tjetër dhe nuk do t’i shërbejnë interesave të të tjerëve. Ata duan paqe me të gjithë, t’i respektojnë të gjithë, por mbi të gjitha të luftojnë për interesat e popullit të tyre”, tha Vuçiq, raportojnë mediat serbe.
Duke u shprehur i kënaqur me bojkotimin, Vuçiq tha se serbën “dinë të reagojnë”.
Kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, bashkë me serbët në disa institucione të vendit, kishin dhënë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim e automjeteve me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme fillimisht u planifikua të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo me rekomandimin e ndërkombëtarëve, ato u shtynë mes incidenteve të shkaktuara.
Bashkimi Europian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – nuk kanë kërkuar më që zgjedhjet të shtyhen. Ato këtë herë vetëm kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe që ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb dhe që mbështetet nga Beogradi, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.