Afati për verifikim të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës është zgjatur edhe për dy vite me mundësi vazhdimi. Puna e Komisionit për verifikim të këtyre viktimave ishte temë diskutimi edhe në takimin e sotëm me anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës.
Duda Balje, kryetare e komisionit për të drejtat e njeriut, tha se verifikimi është çështje shumë e ndjeshme dhe komisioni duhet të punojë në bazë të ligjit dhe provave të viktimave që dëshmojnë dhunën.
“Sot kemi kuptuar që vetëm 19-të raste nuk janë shqyrtuar deri tash. Ka shumë raste të cilat janë në proces gjyqësor, në rishqyrtim. Dmth është një proces shumë kompleks, është proces me emocion, shumë i ndjeshëm dhe vërtet kemi kuptuar që nuk është lehtë për anëtarët e komisionit të cilët janë brenda, ata të cilët marrin një vendim”, ka theksuar Duda Balje.
Njohës të fushës së drejtësisë thonë se nuk është bërë sa duhet në sensibilizimin e kësaj çështje.
Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike ka thënë se ky proces është shumë i vështirë, duke pasur parasysh edhe mentalitetit që e kemi pasur si shoqëri.
“Problemi është kyç, institucionet e shtetit nuk janë duke e trajtuar me seriozitet këtë çështje. Nuk janë duke investuar në fushatat e vetëdijesimit, në fushatat inkurajuese për personat që kanë qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës e që i kanë mbijetuar atyre torturave”, ka thënë Nrecaj.
Ndërkaq, Eranda Zekaj nga IKD ka thënë se problemi qëndron edhe tek ngurrimi i qytetarëve rreth kësaj teme.
“Kemi vetëdijesim të qytetarëve por edhe ngurrim sa i përket stigmatizimit të ndryshëm që ju ndodhë sidomos grave në Kosovë, e ndoshta edhe pasojat që ato mund t’i presin në të ardhmen si pasojë e dhunës që i është shkaktuar atyre gjatë luftës”, ka theksuar Zekaj.
Sipas këtyre organizatave , viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës mund të ngrenë aktakuzat në mungesë dhe të kërkojnë drejtësi. Deri më tani 1549 aplikime janë aprovuar nga Komisioni për verifikim./rtk/