Site icon PrishtinaPress

Zëvendësministri i Jashtëm: Raporti për Kosovën për anëtarësim të Kosovës në KiE do të jetë pozitiv

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, është optimist se Kosova mund të anëtarësohet vitin e ardhshëm në Këshill të Evropës.

Sipas tij, institucionet kosovare po punojnë aktivisht me shtetet anëtare dhe se kanë siguruar mbështetjen e mbi dy të tretave të nevojshme për anëtarësim. Ai thekson se do të ishte sinjal jashtëzakonisht i mirë për Këshillin e Evropës që në kuadër të 75 vjetorit të themelimit të zgjerohet.

I dyti i MPJD-së për KP, flet edhe për dialogun me Serbinë, sanksionet ndaj shtetit fqinj, njohjet e reja dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet aleate.

Ahmeti është i bindur se raporti i dy juristëve eminentë të KiE-së, që qëndruan në Kosovë javë më parë do të jetë pozitiv, pasi Kosova qëndron shumë më mirë se disa vende anëtare sa i përket të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve etnike dhe përputhshmërisë të Kushtetutës dhe legjislacionit në raport me standardet dhe Konventat e Evropës.

Ai shton pas kësaj do të bëhet edhe një raport nga raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila do të ketë si bazë raportin e juristëve eminentë.

“Besoj se do të jetë pozitiv, në fakt e kam edhe bindje këtë pasi Republika e Kosovës qëndron më mirë se shumë vende tashmë anëtare të Këshillit të Evropës. Kushtetuta jonë është progresive për të drejtat e komuniteteve, veçanërisht për komunitetet etnike. Ne tashmë kemi të adaptuar një numër të njëanshme një numër konventash të Këshillit të Evropës edhe pse nuk jemi palë në to, si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventën për të Drejtat e Komuniteteve dhe Konventa e Stambollit me të gjitha protokollet e saj. Këta juristë eminentë që kanë qenë këtu, do të bëjnë raportin për dy çështje. E para është përputhshmëria e kushtetues dhe legjislacionit tonë me standardet dhe konventat e Evropës, pra qëndrojmë mirë dhe për të drejtat e minoriteteve ku gjithashtu qëndrojmë mirë. Prandaj, jam i bindur që do të jetë një raport pozitiv. Raportuesi i dytë që do të bëhet nga raportuesja për Kosovën, do të bëhet brenda kornizave të raportit të parë”, thotë ai.

Ai është optimist se ky raport mund të votohet në Asamblenë e Përgjithshme në seancat e radhës plenare.

“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, do të ketë para ministerialit të vitit të ardhshëm edhe dy sesione plenare, një në janar dhe një në prill. Këto janë si mundësi që të shfrytëzohen për t’u vendosur për votim. Unë nuk mund të zotohem tash se në cilin sesion apo kur do të kemi këtë votim. Por ajo çka mund të them është se mbështetja është e madhe në Asamblenë Parlamentare…Votat janë aty dhe do të kemi edhe më shumë sesa dy të tretat e nevojshme…Do të ishte një sinjal jashtëzakonisht i mirë për Këshillin e Evropës që mos të tkurret si organizatë por të zgjerohet me rastin e 75 vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës që është vitin e ardhshëm. Ne po punojmë dhe angazhohemi në baza ditore që kjo të ndodh”, thekson Ahmeti.

Duke folur për sulmin terrorist në veri të Kosovës, më 24 shtator, Ahmeti bënë të ditur se i kanë njoftuar të gjithë partnerët se Serbia qëndron prapa atij.

Andej ai nënvizon se bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë Serbinë për aktin e agresionit ndaj Kosovës.

“Ajo çka ndodhi me 24 shtator, sulmi terrorist si formë e agresionit nga Serbia ishte ajo çka kishim paralajmëruar se do të mund të ndodhte. Sigurisht se ne që nga ajo ditë kemi njoftuar në baza të rregullta të gjithë partnerët dhe të gjitha vendet ku kemi përfaqësim, qoftë primar apo sekondar përmes misioneve diplomatike apo konsullore. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne me kohë e kemi bërë të qartë se për çfarë po bëhet fjalë. Për një sulm të tillë, për një agresion të tillë duhet personel, armatim dhe planifikim”, thotë ai.

Sipas tij, dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë njëjtë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

“Nuk mund të themi që situata është e njëjtë dhe që mund të vazhdojë të sillemi sikurse nuk ka ndodhur sulmi terrorist, pasi në atë mënyrë do të normalizonim atë dhe ky është rreziku. Sa më pak që të ketë pasoja Serbia aq më shumë ka mundësi për sulme dhe sa më shumë që të ketë sulme aq më pak do të lihet mundësi për dialog. Prandaj është thelbësore që të kemi pasoja dhe sanksione ndaj Serbisë në këtë rast”, deklaron Ahmeti.

Në anën tjetër, Ahmeti thotë se po punojnë vazhdimisht me pesë vendet e Bashkimit Evropian jonjohëse të Kosovës.

Ai përmend në veçanti raportet me Greqinë, të cilat sipas tij, po thellohen ani pse s’ka njohje formale.

“Kemi ngritur statusin e zyrës sonë në Athinë e cila nuk është vetëm çështje formale por ka krijuar edhe përmbajtësish mundësi që të kemi raporte zyrtare me Greqinë. Kemi nënshkruar dokumente me Greqinë. Është e vërtet se Greqia ende nuk e ka deklaruar njohjen, por raportet me to po thellohen. Nuk jemi në pikën e një vendi që nuk pranon të ketë komunikim zyrtar apo të nënshkruajë dokumente”, thotë Ahmeti.

Krahas kësaj Ahmeti thotë se po punojnë edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare.

Ndërkaq, duke folur për Procesin e Berlinit, thotë se samiti i 16 tetorit në Tiranë, synon konsolidimin e tregut të përbashkët rajonal dhe përafrimin e tij me tregun e Bashkimit Evropian.

Exit mobile version