Disa ditë pasi zëvendësja e tij, Donika Gërvalla e quajti BE-në “tigër prej letre”, kryeministri Albin Kurti njoftoi se nuk kishte patur diskutime të nxehta me emisarin europian, Miroslav Lajçak, me të cilin u takua në Greqi. Tri ditë pas këtij takimi, zëvendësi tjetër, Besnik Bislimi e akuzoi ndërmjetësin e Unionit se po e favorizon Serbinë.
Zëvendëskryeministrja dh ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se “BE-ja është një tigër prej letre në aspektin e sigurisë” dhe e mbrojti deklaratën e saj që gjeti shpejt kundërshtinë e emisarëve perëndimorë. Më pak se dy javë nga ato fjalë, zëvendëskryeministri tjetër dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi e goditi ndërmjetësin e bllokut europian, Miroslav Lajçak.
“Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në bllok dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre në aspektin e sigurisë”, tha Gërvalla më 8 korrik në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, duke shtuar se Europa s’ka ndonjë histori të suksesit për ta parandaluar ndonjë luftë. Pas kritikave që vërshuan shpejt, ajo tha se nuk është zëdhënëse e BE-së dhe se po i mbronte interesat e vendit të saj.
Akuzat e zëvendëskryeministrave kosovarë ndaj unionit të shteteve ku Kosova ëndërron të anëtarësohet vazhduan.
Besnik Bislimi, zëvendësi tjetër i kryeministrit Albin Kurti, të mërkurën ishte në Bruksel, pasi ndërmjetësuesi i këtij procesi, Miroslav Lajçak e thiri atë dhe kryeegociatorin serb, Petar Petkoviq. Takim trepalësh nuk pati, por pas takimit me emisarin europian, kryenegociatori i Kosovës tha se për hapat e zbatimit të marrëveshjes së fundit, Lajçak ka plane që e favorizojnë Serbinë.
“Është pa nevoja me punu edhe më tej në konkretizimin e disa dokumenteve për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike. Tema e parë që kemi është plani i sekuencimit. Ne kemi brenga me draftet e deritanishme që Lajçak na i ka treguar sepse mendojmë që ai plan është selektiv dhe lë anash disa provizione të rëndësishme të marrëveshjes bazike. Në mënyrë të njëanshme iu kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton një zbatim të plotë të marrëveshjes”, tha Bislimi pas takimit.
Ditë pas marrëveshjes me Lajçak për shtensionimin e situatës në veri, Bislimi tha se “është habi” që Kosovës ende nuk i janë hequr masat ndëshkuese nga BE-ja.
“Në Bratisllavë kemi dakordaur një marrëveshje që quhet aranzhimet mes Kosovës dhe BE-së për implementimin e qëndrimit ië 27 vendeve anëtare të BE-së. Rrjedhimisht titulli i asaj marrëveshje tregon që dakordimi ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe i përgjigjet kërkesave të BE-së. Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Për ne është habi që edhe 8 ditë pas dakordimit në Bratisllavë ende nuk kemi një letër shpjeguese qe kërkon heqjen e masave nga ana e Kosmisionit dhe Bashkimit Europian”, tha ai.
“Nuk mund të themi se i kemi zbatuar të gjitha masat sepse një nga masat është edhe mbajtja e zgjedhjeve, por ne kemi treguar rrugën që çon në normalizimin e situatës e mungesa e kësaj rruge ka qenë preteksti i BE-së për vendosjen e masave ndëshkuese. Tash gjetja e rrugës nënkupton edhe instrumentin apo mekanizmin për heqjen e masave ndëshkuese”, shtoi ai.
Para tri ditësh, kryeministri Albin Kurti dhe emisari Miroslav Lajçak ishin takuar në Kretë të Greqisë, ku kishin folur për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar. Moti ka qenë shumë më i nxehtë sesa diskutimet tona”, kishte shkruar Kurti në Twitter pas takimit.
Bashkimi Europian i vendosi masa ndëshkuese Kosovën duke e konsideruar Kurti përgjegjës për tensionimin e situatës në veri, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë.