Sezoni 2022/23 në Superligën e futbollit u mbyll në mënyrë të turpshme, me dyshimin për kurdisje në dy ndeshjet përcaktuese për skuadrën që do të binte nga liga dhe për atë që do të përfundonte në barazh.
E ndaj ndeshjeve që u konsideruan si skandaloze, Ferizaj – Dukagjini e Trepça ’89 – Prishtina ka reaguar edhe zëvendës-ministrja e Sportit, Daulina Osmani.
Përmes një postimit në rrjetet sociale, zonja Osmani ka kërkuar që organet kompetente t’i hetojnë ndeshjet në fjalë, duke insistuar se “nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve”, ndërsa e konsideroi si të dhimbshme prishjen e imazhit të sportit dhe njollosjen e tij me skena të tilla.
Ndeshjet e djeshme u shtynë deri në 17 minuta, ndërsa Ferizaj dhe Trepça ’89 fituan falë golave të shënuar në minutat shtesë, pas së cilave u akuzuan nga tifozët dhe nga njerëzit e sportit për blerje të ndeshjeve përkatëse.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e zëvendës-ministres së Sportit, Daulina Osmani.