Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit duke thënë se Ministria e Shëndetësisë i largoi më shumë se 475 profesionistë shëndetësorë nga puna.
Ish ministri i Shëndetësisë tha se u veprua keq ndaj tyre, por edhe më keq ndaj qytetarëve që ende kanë nevojë për shërbimet e tyre.
“Shkurt e shqip: krejt e padrejtë, ngase krejtve iu bë padrejtë”, shkroi Zemaj në llogarinë e tij në Facebook.
“Sa shumë u gëzuam kur këta profesionistë u bën pjesë e frontit të përbashkët në luftimin e armikut global, Covid-19. Sa shumë punë dhe kontribut dhanë në rrethana të jashtëzakonshme. Edhe më shumë kishin për të dhënë por, nuk i lejuan, i dënuan, i dëbuan”.
Tutje, Zemaj tha se ishte i kënaqur dhe i lumtur kur në mandatin e tij u pranuan 1 mijë e 500 specializantë, ndërsa sot ndjehet i kënaqur dhe i lumtur jo vetëm që u pranuan por edhe që nuk mund t’i dënojnë dhe t’i largojnë.
“Ndërkaq, tashmë është e qartë se nëse do të kishin mundësi kurrë as nuk do t’i pranonin. Po, kurrë nuk do t’i pranonin. Do t’i injoronin, do t’i poshtëronin, derisa një ditë ata do të iknin nga vendi i tyre për t’i plotësuar nevojat e shëndetësisë së shteteve tjera”.
“Me pak fjalë, kjo qeveri është krejt e padrejtë, sepse krejtve padrejtë ka me iu bë, përpos nipave, mbesave e familjarëve të tyre, të cilët ishin projektuar e proklamuar për dasma e ahengje, mirëpo përfunduan nëpër ministri e qeveri”, ka shkruar Zemaj.