Site icon PrishtinaPress

Zemaj për vrasjet politike: Vrasësit s’mund të fshihen në banhofa, as në birë të minit

Deputeti i LDK’së, Armend Zemaj, është përfshirë në debatin për vrasjet politike dhe urdhrat e lëshuar në kohën e luftës në emër të UÇK’së.

Zemaj ka thënë se askush s’mund t’i ikë drejtësisë. As nëse fshihet në birë të minit e nëpër banhofa (stacione).

“Vite me radhë duke ju bërë të ditur, që dora e UDB-s e fshehur në “patriotizëm” ka vrarë njerëzit me të devotshëm të Kosovës. Këta prodhues gënjeshtrash , matrapaz të lirisë vazhdojnë të shesin tregime të falsifikuara të atdhedashurisë. Këto gjana të ultë pa asnjë medyshje i kemi theksuar e tash po dalin vete e po demaskohen. Edhe në birë të minit nëse hyni se pa e marre përgjigjen nga drejtësia nuk keni ku me shkue. Nuk keni banhofe të fshiheni”, ka shkruar Zemaj, duke publikuar një tekst të vetin ku thoshte se udhëheqësit e LPK’së kishin hartuar lista për vrasjet politike.

Zemajt i janë vrarë disa familjarë pasluftës. Ende askush s’është dënuar për këto vrasje. Ka pasur vetëm akuza se vrasjet kishin ndodhur për shkak të përplasjeve të krahut ushtarak të LDK’së dhe UÇK’së.

Ditë më parë, Hashim Thaçi u distancua nga një komunikatë e UÇK’së, e lëshuar në kohën e luftës, me numër 59, e ku jepej urdhri për vrasjen e Gani Gecit. Komunikata ishte nënshkruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Thaçi tha se e njëjta komunikatë ishte lëshuar nga banhofat e Gjermanisë.

Jakup Krasniqi doli kundër Thaçit, duke thënë se komunikata është shkruar në Kosovë. Dhe, ai bashkë me disa udhëheqës të UÇK’së kanë qenë kundër.

Rrustem Mustafa, një ish-udhëheqës i UÇK’së, ka thënë publikisht se pas secilës komunikatë të lëshuar të UÇK’së qëndrojnë komandantët.

Mustafa bashkë me disa ish-udhëheqës tjerë të luftës janë ftuar si të dyshuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Exit mobile version