Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë sot se mbyllja e tërësishme nga COVID-19 është opsioni i fundit.
Zemaj deklaroi kështu gjatë vizitës që i bëri Qendrës Korrektuese në Lipjan ku qëndroi bashkë me drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaqi dhe drejtorin e Shëndetësisë në burgje, Milazim Gjocaj.
Ministri Zemaj u njoftua aty për nivelin e shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve të tjera që u ofrohen personave në mbajtje: femrave, të rriturve dhe të miturve, me qëllim që të njëjtit ta kenë kujdesin e duhur shëndetësor, por dhe të rehabilitohen dhe të jenë sa më të përgatitur për jetën post penale.
“Ne do t’i furnizojmë të burgosurat me barna dhe shërbime të tjera të nevojshme”, tha Zemaj, duke theksuar se shëndeti i kategorive që janë në këtë qendër është i rëndësishëm dhe se janë shumë të rëndësishme për ta edhe aktivitetet e rehabilitimit social.
Zemaj foli edhe për mundësinë e shtrëngimit të masave sa i përket COVID-19, derisa ritheksoi se mbyllja e tërësishme është opsioni i fundit.