Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ka falënderuar shtetin e Shqipërisë që vaksinoj një pjesë të punëtorëve shëndetësor të Kosovës.
Ai u shprehë se kjo tregon që edhe vendet e vogla mund të ja dalin kur punojnë së bashku.
Komunikata e plotë:
Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës falënderojmë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, përkatësisht kryeministrin Rama dhe ministren Manastirliu, për mundësinë që u dhanë një numri të konsideruar të profesionistëve shëndetësor nga Kosova që të vaksinohen kundër COVID-19 në Kukës.
Gjithashtu, një falënderim i veçantë edhe për profesionistët shëndetësor të Shqipërisë që me etikë dhe profesinalizëm të lartë administraun dhënien e vaksinave tek kolegët e tyre kosovarë përgjatë këtyre dy ditëve, bashkë me të gjithë ata që kontribuan në realizimin e vaksinimit (Ambasadorin Hasani, FSSHK-në, etj.), që si akt, përtej çdo simbolike, tregon rëndësinë e bashkëpunimit midis dy shteteve në funksion të mbrojtjes sa më adekuate kundër COVID-19.
Në kohën kur institucionet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat gjatë gjithë pandemisë shteteve të Ballkanit u kanë mbajtur ligjërata për “qasjen dhe mundësitë e barabarta” dhe kur “solidariteti” i proklamuar prej tyre për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 është tretuar nga “nacionalizmi” i vaksinave, ndihma e Shqipërisë për Kosovën, ka peshë edhe më të madhe dhe tregon se edhe të vegjëlit mund të ja dalin kur punojnë së bashku dhe nuk u mungojnë vlerat.
Jam i bindur se profesionistët shëndetësor nga Kosova do ta vlerësojnë gjithmonë këtë kontribut të Qeverisë së Shqipërisë.
Falënderimi më i mirë nga ana e tyre është kujdesi që ata kanë treguar dhe po tregojnë gjatë gjithë këtyre muajve të pandemisë për qindra pacientë me Covid-19 nga zonat e veriut të Shqipërisë, të cilët në Spitalin e Prizrenit, Spitalin e Gjakovës, por edhe në QKUK, gjetën një trajtim sa profesional, aq edhe vëllazëror.
Bashkë kundër COVID-19!