1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Zelensky uron Trumpin për nominimin, pajtohen për “takim personal”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se ka folur me të nominuarin e republikanëve për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe janë pajtuar për një “takim personal”, për të diskutuar hapat për paqe të qëndrueshme me Rusinë.

Zelensky ka folur me Trumpin më 19 korrik, një ditë pasi kandidati republikan e ka pranuar nominimin e Partisë Republikane dhe është zotuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, nëse fiton zjgedhjet.

“Kam biseduar me Donald Trumpin për t’ia uruar nominimin e republikanëve dhe për të dënuar atentatin tronditës ndaj tij në Pensilvani. I kam uruar forcë dhe siguri në të ardhmen”, ka thënë Zelensky përmes një postimi në X – të njohur më parë si Twitter – duke iu referuar të shtënave kundër Trumpit më 13 korrik, sa ka qenë në një tubim të fushatës.

Trump është plagosur në veshin e djathtë.

Zelensky ka thënë se është pajtuar me Trumpin “për të diskutuar në një takim personal për hapat që duhet bërë për ta bërë paqen të qëndrueshme”, pa dhënë më shumë hollësi se ku dhe kur mund të ndodhë takimi.

Trump ka thënë në platformën e vet sociale, Social Truth se ka pasur “bisedë shumë të mirë” me Zelenskyn, me të cilin kanë biseduar për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Trump është zotuar për të sjellë paqe në botë dhe “për t’iu dhënë fund luftërave që u kushtojnë me jetë aq shumë njerëzve”.

“Të dyja palët do të mund të punojnë së bashku dhe të negociojnë një marrëveshje që i jep fund dhunës dhe i hap rrugën prosperitetit”, ka thënë Trump.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur në shkurt të vitit 2022, ka lënë dhjetëra mijëra njerëz të vrarë në të dyja anët dhe fundi nuk i shihet.

Aktualisht, Rusia zotëron rreth 17 për qind të territorit të Ukrainës.

Thirrja e Zelenskyt është bërë në kohën kur rriten shqetësimet e Kievit dhe kryeqyteteve evropiane për një tjetër mandat të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Mundësitë e republikanëve për t’i fituar zgjedhjet e nëntorit të këtij viti janë rritur pas performancës jo të mirë të presidentit aktual, Joe Biden, 81-vjeçar, në një debat të mbajtur me Trumpin, javë më parë.

Turmp ka shprehur admirim për presidentin rus, Vladimir Putin, i ka quajtur taktikat e tij para pushtimit si “gjeniale” dhe i ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë që nuk po shpenzojnë më shumë në mbrojtje të përbashkët.

Trump nuk është deklaruar publikisht se çfarë mendon për vazhdimin e ofrimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, ndonëse këtë javë e ka zgjedhur senatorin e Ohajos, J.D. Vance, si kandidat për nënpresident.

Senatori 39-vjeçar ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë kapacitet ushtarak për të mbështetur Tajvanin, Izraelin dhe Ukrainën, dhe duhet t’iu japin prioritet dy të parave./rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img