Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi sot se Rusia e ka humbur përgjithmonë Ukrainën.
Përmes një videomesazhi në Telegram, Zelensky bëri deklarata lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës që nga 24 shkurti.
Zelensky theksoi se ushtria ruse ka kryer akte terroriste ndaj civilëve në rajonet e Zaporizhia dhe Kherson.
“Pushtuesit ndjekin këdo që ka lidhje me ushtrinë ukrainase ose agjencitë qeveritare duke menduar se do të jete më e lehtë për ta të kontrollojnë rajonin. Ata po bëjnë një gabim të madh dhe po mashtrojnë veten e tyre”, tha Zelensky.
Duke nënvizuar se populli i Ukrainës nuk e merr seriozisht Rusinë, Zelensky vuri në dukje se Rusia e ka humbur përgjithmonë Ukrainën.
“Rusia e humbi të gjithë botën dhe tashmë nuk pranohet në asnjë vend”, tha ai.
Në fjalën e tij, Zelensky e vuri theksin mbi rëndësinë e sigurimit të paqes duke shtuar se ushtria ukrainase e ka përmbushur detyrën e saj.
“Kjo nuk është e mjaftueshme për të ndalur makinerinë ushtarake ruse. Në sanksionet ndaj Rusisë duhet të përfshihet edhe heqja dorë nga nafta ruse. Bota duhet të vendosë se paraja që jepet për energjinë ruse prish demokracinë”, tha Zelensky.
Më tej presidenti ukrainas theksoi se sistemi financiar i Rusisë duhet të bllokohet plotësisht, dhe se kjo mund t‘i japë fund luftës.