Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha të martën se qindra mijëra njerëz nuk kishin “qasje normale ndaj ujit të pijshëm”, një ditë pas shkatërrimi të digës të epokës sovjetike Kakhovka në jug të Ukrainës .
Përmes një postimi në Twitter, zoti Zelenskyy tha se shkatërrimi i digës ishte “plotësisht i qëllimshëm” dhe për këtë bëri përgjegjëse trupat ruse. Ai akuzoi Rusinë se nuk ndërmori asnjë hap për t’i ardhur në ndihmë banorëve që jetojnë në atë zonë, e cila kontrollohet nga Rusia, ndërsa ata përballen me pasojat e përmbytjes që shkaktoi shembja e murit të digës.
Sipas autoriteteve ukrainase më shumë se 17 mijë persona janë evakuuar nga zonat përgjatë lumit Dnipro, pas përmbytjeve në më shumë se 40 qytete dhe fshatra, të cilat janë nën kontrollin e Ukrainës.
Më shumë se 900 persona janë evakuuar nga zonat që kontrollohen nga Rusia.
“Ka të ngjarë që struktura e digës të pësojë dëmtime të tjera në ditët në vazhdim dhe të shkaktojë përmbytje tjë tjera”, tha në njoftimin e saj të përditshëm mbi zhvillimet në Ukrainë ministria e Mbrojtjes së Britanisë.
Kievi dhe Moska fajësuan njëra tjetrën për shkatërrimin e digës që ndodhet rreth 70 kilometra në lindje të Khersonit, rajonin ukrainas të cilin Rusia e kontrollon prej më shumë se një viti.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha të martën se nuk mund të thoshte në mënyrë përfundimtare se cili ishte shkaku i shkatërrimit masiv të digës, por se po vlerësonte njoftimet se shpërthimi ishte shkaktuar nga Rusia.
Në Kombet e Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm Antiono Guterres kërkoi që të ndalen sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile.
“Tregjedia e sotme është një tjetër shembull i çmimit të tmerrshëm që po paguajnë njerëzit për shkak të luftës”, u tha ai gazetarëve.
“Portat e vuajtjes janë hapur dhe kanë shkaktuar dëme prej më shumë se një viti. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ai.
Pasojat e shkatërrrimit të digës
15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kombeve të Bashkuara zhvilluan një mbledhje urgjente të martën me kërkesë të Rusisë dhe Ukrainës pas shkatërrimit të digës.
Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për çështjet humanitare Martin Griffiths, tha në takim se pasojat reale të kësaj katastrofe do të mësohen në ditën në vazhdim, por shpërthimi do të ketë “pasoja të rënda dhe afatgjata për njerëzit që jetojnë në vijën e frontit të luftës,në jug të Ukrainës, të cilët kanë humbur shtëpitë, mjetet e jetesës dhe qasjen ndaj ujit të pijshëm”.
Shumë anëtarë të Këshillit vlerësuan në mbledhjen e së martës se kjo krizë nuk do të kishte ndodhur nëse Rusia nuk do të kishte nisur agresionin ndaj Ukrainës fqinje shkurtin e kaluar.
Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia, pa dhënë prova akuzoi Ukrainën për ngjarjen duke thënë se Kievi po përpiqej të krijonte “kushte të favorshme” për rigrupimin e njësive ushatarake me qëllim vazhdimin e kundërofensivës ndaj trupave ruse”.
“Akti i Ukrainës mund të cilësohet një krim lufte dhe një veprim terrorist”, tha ai.
Ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Sergiy Kyslytsya, pa dhënë prova, akuzoi Rusinë për “ndërmarrjen e një akti terrorist ndaj infrastrukturës kritike ukrainase”.
“Diga është minuar nga pushtuesit rusë, ata e hodhën në erë”, tha ai.
Rezervuari i Kakkhovkës, përdorej dhe për ftohjen e termocentralit më të madh bërthamor të Evropës, Zaporizhia.
Kreu i agjencisë së OKB-së për Energjinë Bërthamore Rafael Grossi tha të martën se niveli i ujit të rezervuarit ka filluar të bjerë, por situata tani për tani është e kontrollueshme dhe nuk ka ndonjë rrezik të menjëhershëm për sigurinë e termocentralit.