Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të SHBA-së që të vazhdojnë ta mbështesin vendin e tij me ndihmë ushtarake dhe financiare, derisa lufton për ekzistencë kundër një Rusie revanshiste.
Çdo gjë tjetër, përveç fitores së Ukrainës, do të kërcënonte botën e lirë, përfshirë SHBA-në, tha Zelensky.
Ai i bëri komentet gjatë një fjalimi 25-minutësh para Kongresit amerikan, në Uashington.
Ai tha se Ukraina mund ta fitojë luftën kundër një ushtrie ruse të armatosur më mirë, por shtoi se ndihma ushtarake dhe financiare e SHBA-së është “vendimtare” për të arritur fitoren përfundimtare.
Mbrojtja e Ukrainës “nuk është vetëm për jetën, lirinë dhe sigurinë e ukrainasve. Ajo do të përcaktojë nëse [do të ketë] demokraci për ukrainasit dhe amerikanët”, tha Zelensky.
Lufta “nuk mund të ngrihet ose shtyhet, nuk mund të injorohet, duke shpresuar se oqeani ose diçka tjetër do të sigurojë mbrojtje”, tha ai.
Udhëtimi i Zelenskyt në SHBA u bë në kohën kur Kongresi po përgatitet të votojë një projekt-ligj gjithëpërfshirës të shpenzimeve, që përfshin edhe një dispozitë për ndarjen e rreth 45 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Projektligji pritet të miratohet, por mbështetja e SHBA-së për Ukrainën është zbehur, derisa lufta 10-muajshe vazhdon të zvarritet dhe amerikanët ndjejnë barrën e inflacionit të lartë.
Shumë anëtarë të Partisë Republikane, e cila do të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në janar, kanë kritikuar ndihmën masive për Ukrainën, në kohën kur ekonomia e SHBA-së vuan. Ata, gjithashtu, kanë vënë në pikëpyetje mënyrën se si po përdoret ndihma.
Disa anëtarë të Partisë Demokratike, në anën tjetër, kanë shprehur shqetësim se ndihma ushtarake do ta provokojë Rusinë.
Zelensky bëri përpjekje t’i adresojë këto shqetësime, duke thënë se ndihma e SHBA-së nuk është “bamirësi”, por “një investim në sigurinë globale dhe demokracinë që ne e trajtojmë në mënyrën më të përgjegjshme”.
Duke thënë se Ukraina është aleate e SHBA-së në luftën për demokracinë globale, ai vuri në dukje se Irani – të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë etiketuar si shtet terrorist – është bërë aleat me Rusinë në luftën e saj kundër vendit të tij, duke i shitur qindra dronë kamikazë vdekjeprurës.
“Kështu një terrorist e ka gjetur tjetrin”, tha ai, duke iu referuar gjithashtu etiketimit të Rusisë nga Ukraina si shtet terrorist.
“Është vetëm çështje kohe kur ata do t’i godasin aleatët tuaj tjerë, nëse ne nuk i ndalojmë tani”, tha Zelensky.
Zelensky “u foli amerikanëve në disa mënyra” gjatë fjalimit të tij, tha për Radion Evropa e Lirë Elise Giuliano, profesoreshë e shkencave politike në Institutin Harriman të Universitetit të Kolumbisë për Studime Ruse, Euroaziatike dhe të Evropës Lindore.
“Ai i bëri thirrje interesit tonë për të mbrojtur demokracinë, por edhe sigurinë tonë”, tha ajo.
Giuliano tha se Zelensky, në mënyrë të zgjuar, ka përmendur mbështetjen e Iranit për Rusinë, sepse shumë amerikanë e identifikojnë Teheranin si një aktor “të keq” dhe “agresiv”, të cilit SHBA-ja “duhet t’i kundërvihet”.
Vizita e Zelenskyt në SHBA ishte e para pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt.
Në Shtëpinë e Bardhë, ai zhvilloi një takim me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, me të cilin diskutoi ndihmën dhe rrjedhën e luftës. Ai, po ashtu, zhvilloi bisedime me udhëheqësit e Kongresit nga të dyja partitë.
“Dua që i gjithë populli i Ukrainës ta dijë se populli amerikan është me ju në çdo hap dhe ne do të qëndrojmë me ju”, tha Biden.
Ai shpalli një paketë të re ndihme për Ukrainën – në vlerë prej 1.85 miliardë dollarësh – e cila përfshin edhe një bateri të sistemit mbrojtës raketor, Patriot.
Zelensky tha se sistemi Patriot është pjesa më e fuqishme e paketës së re.
Megjithatë, ky sistem nuk do të pozicionohet menjëherë, sepse trupat amerikane fillimisht duhet t’i trajnojnë forcat ukrainase se si ta përdorin dhe mirëmbajnë atë.
Patrioti konsiderohet si një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore amerikane dhe ofron mbrojtje kundër avionëve, raketave lundruese dhe atyre balistike./Rel