5.7 C
Pristina
Wednesday, January 8, 2025

Buy now

spot_img

Zelensky kërkon garanci të sigurisë nga SHBA-ja

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se çdo garanci të sigurisë për shtetin e tij në mënyrë që t’i jepet fund luftës me Rusinë do të ishin kuptimplotë vetëm nëse ato do të jepeshin nga Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se shpreson se do të takohet shpejt me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, pas inaugurimit të tij më 20 janar.

“Pa SHBA-në, garancitë e sigurisë nuk janë të mundura”, tha ai në një intervistë triorëshe me Lex Fridman, që u publikua më 5 janar.

“Po flas për garanci të sigurisë që mund ta parandalojnë agresionin rus”, shtoi ai.

Gjatë kësaj interviste, që u zhvillua në Kiev, Zelensky foli në gjuhën angleze, ukrainase e madje edhe ruse. Ai tha se beson se një armëpushim pa garanci të sigurisë për Kievin do të përdorej nga Kremlini si një mundësi për t’u furnizuar dhe riorganizuar për ofensiva të reja.

Teksa përvjetori i tretë i nisjes së pushtimit rus të Ukrainës po afrohet, vdekjet dhe shkatërrimi po vazhdojnë në shumë qytete ukrainase, veçmas në lindje dhe në territorin e pushtuar nga forcat e Kremlinit, por edhe në Kursk, rajonin kufitar rus.

Kohë të pasigurta po e presin Kievin, teksa Trump pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Trump, i cili ka qenë kritik për sasinë e ndihmës së ofruar amerikane për Ukrainën, vazhdimisht është zotuar se do t’i japë fund shpejt konfliktit, edhe pse për këtë ai ka dhënë pak detaje. Shumë mbështetës të Ukrainës janë të shqetësuar se ai do të shtyjë përpara kushte që do të jenë të papranueshme për Kievin.

Përpjekjet për një armëpushim janë të pashmangshme, në dritë të premtimeve të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në një periudhë të shkurtër kohore.

Administrata në largim e presidentit Joe Biden, në katër vjetët e fundit i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër në vlerë prej afër 60 miliardë dollarësh.

Zelensky ka një histori të gjatë dhe të vështirë me Trumpin.

Gjykimi i parë ndaj Trumpit për shkarkimin e tij nga posti i presidentit më 2019 u nxit nga një bisedë telefonike që ai kishte zhvilluar me Zelenskyn, në të cilin Trump dukej se kishte kushtëzuar ndihmën ushtarake amerikane në këmbim të hetimit nga Ukraina të familjes së Bidenit.

“Unë vërtetë llogarisë në të dhe mendoj se njerëzit tanë vërtetë llogarisin në të, prandaj ai ka fuqi të mjaftueshme për t’i bërë presion atij, për t’i bërë presion [presidentit rus, Vladimir] Putin”, shtoi Zelensky.

I pyetur se çfarë kërkon që ta shqyrtojë një armëpushim, Zelensky tha se janë garancitë e sigurisë, mundësisht përfshirja në NATO, diçka që Putin e ka kundërshtuar me forcë.

Anëtarësimi në NATO ishte një nga argumentet fillestare që Kremlini përdori për të justifikuar luftën kundër Ukrainës.

Për çdo marrëveshje, Zelensky tha se partnerët perëndimorë, të paktën duhet të garantojnë sigurinë në territorin ukrainas që aktualisht nuk është i pushtuar nga Rusia, të vazhdojnë mbështetjen ushtarake dhe të mbajnë në fuqi sanksionet ekonomike ndaj Rusisë.

“Nëse nuk ka garanci të sigurisë, Putin sërish do të sulmojë”, tha ai.

Sipas tij, qëllimet e Putinit janë një “NATO e dobët” dhe një “Ukrainë që nuk mund të mbijetojë në fushëbetejë” dhe “të pamundësohet një raport i fortë me Trumpin”./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img