Ibrahim Rugova është një nga politikanët më të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës. Ndonëse ka vdekur që 17 vite, sot ai u pa në një fotografi të botuar nga Volodymyr Zelenksy, presidenti karizmatik i Ukrainës, dhe Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian.
Në fakt, ishte zonja Metsola, e cila si presidente e PE-së, e mirëpriti Zelenskyn në Bruksel. E pas takimit zonja Metsola zgjodhi të botojë një fotografi në Instagram. Në fotografinë e përzgjedhur, në prapavijë shihet edhe ish-presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Në fotografinë në hollin e Parlamentit Evropian, Rugova shihet i mendueshëm, teksa dy të gjallët, pra Zelensky dhe Metsola shihen në humor të mirë.
Ndryshe, Ibrahim Rugova, lideri i shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 90-ta dhe pas luftës, së bashku me Adem Demaçin, është ndër dy shqiptarët e vetëm që e ka fituar çmimin Sakharov, çmimin për liri të mendimit, të cilin e jep Parlamenti Evropian. Andaj, si fitues i Sakharovit, fotografia e Rugovës qëndron krenarisht në hollin e Parlamentit Evropian, që është institucioni më i lartë përfaqësues i Evropës.
Në fakt, fotografia e Rugovës në PE është përfaqësuesja më e mirë e një përpjekjeje humaniste e të gjatë për liri e demokraci të kosovarëve, e cila u bë e njohur ndërkombëtarisht. Ndryshe, Rugova respektohet e nderohet si përfaqësues i një lëvizjeje pacifiste që kundërshtonte sistemin e apharteidit të instaluar nga ish-diktatori serb, Sllobodan Milosheviq. Për shkak të përpjekjes së tij paqësore, të cilën e ndoqi paekuivoke deri në vdekje, Rugova e mori edhe nofkën e “Gandit të Ballkanit”.