Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një takim të shkurtër me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Paris.
Dhe sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Kremlini ka bërë të ditur detajet e një takimi të tillë.
Po sipas mediave serbe, Kremlini ka thënë se Putin i ka thënë Thaçit se Prishtina duhet të arrijë një konsensus me Beogradin duke shtuar se Rusia do të mbështesë një vendim të përbashkët në mes të Beogradit dhe Prishtinës.
“Natyrisht, Putin tërhoqi vëmendjen se është e nevojshme para së gjithash të gjendet një konsensus me Serbinë. Kjo është gjëja kryesore. Dhe natyrisht, ai tha se ne do të mbështesim marrëveshjen e arritur nga vetë palët. Nuk mund të jetë ndryshe”, ka shtuar zëdhënësi i presidentit rus.
Mediat serbe gjithashtu citojnë deklaratën e presidentit të Kosovës, se “takimi me Putinin i kishte munguar Kosovës në skenën ndërkombëtare” dhe se kjo është “një arritje e madhe” për diplomacinë kosovare.